Ray Manzarek, muzikant që i binte instrumentave tastierë (organo) dhe një nga themeluesit e grupit rock të viteve 1960, The Doors, ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare.
Ai krijoi bandën rock me këngëtarin udhëheqës Jim Morrison në 1965, pas një takimi që patën në plazhin Venice të Los Angeles.
Manzarek, i cili vuante nga një tumor në rrugët e tretjes prej disa vitesh, ndërroi jetë në një klinikë në Rosenheim të Gjermanisë, teksa e shoqja dhe vëllezërit ndodheshin të pranishëm.
The Doors fitoi famë në vitet ’60 falë hit-eve si “The End”, “Break on Through to the Other Side” dhe “Hello I Love You”.
Ata shitën më shumë se 100 milionë albume në mbarë botën dhe Manzarek u bë një nga tastieristët më të njohur të epokës së tij, teksa mjeshtëria e tij thurte këngë si “Riders on the Storm” dhe “Light my Fire”.
Vdekja e Morrison, për shkak të atakut kardiak gjatë një dushi, në Paris, më 3 korrik 1971 i dha efektivisht fundit grupit, edhe pse Manzarek, i lindur në Chicago, vazhdoi me detyrën si këngëtar.
Një raport i mjekut theksonte shkak të vdekjes së tij një atak kardiak, të agravuar prej pirjes së tepër të alkooleve.
Në vitet e fundit, Manzarek luajti nëpër banda të tjera dhe, në 1998, shkroi autobiografinë më të shitur “Light My Fire: My Life with The Doors”.
Top Channel