Pas suksesit në vitin 2011 kur doli në krye të kampionatit maqedonas të futbollit, skuadra shqiptare Shkëndija nga Tetova, tani është në kërkim të trofeut të Kupës së Maqedonisë.
Të mërkurën në stadiumin “Filipi i Dytë” në Shkup, Shkëndija do të luaj në finale me skuadrën maqedonase Teteks. Meqë finalja zhvillohet mes dy skuadrave rivale nga Tetova, njëra shqiptare dhe tjetra maqedonase, pritet një atmosferë e zjarrtë në shkallët e stadiumit.
Kryesitë dhe lojtarët e dy skuadrave gjatë një konference të përbashkët për shtyp, kanë bërë thirrje për tifozëri korrekte dhe pa provokime në baza entike.
“Jemi dy ekipe nga po i njëjti qytet dhe sekrete mes nesh nuk ka. Le të fitojë më i miri. Krahas asaj se jemi favorit të vegjël, jam i mendimit se këtë do ta mbyllë vetëm një moment. Shpresoj që ne do të jemi ata të cilët në fund do të festojmë”, deklaroi Muhamed Huseini, kapiteni i Shkëndijës.
Fansat e Shkëndijës, “Ballistat” kanë paralajmëruar pjesëmarrje masive për të përkrahur klubin e zemrës në ndeshjen finale për Kupën e Maqedonisë, ndërsa janë zotuar për sjellje korrekte. Pjesëmarrjen e tyre e kanë paralajmëruar edhe tifozët maqedonas të cilët do të mbështesin skuadrën e Teteksit drejt fitores e cila pos trofeut, siguron edhe pjesëmarrjen në Ligën e Europës.
Top Channel