
Serbët e veriut të Kosovës kanë kundërshtuar sërish marrëveshjen e
Brukselit të arritur ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica
Daçiç.
Ata kanë deklaruar se, qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar as pas takimit që patën më 20 maj me zëvendëskryeministrin serb Aleksandar Vuçiç.
Megjithatë, ata kanë theksuar se janë duke pritur që të shohin detajet e planit të zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit.
Përfaqësuesi i serbëve të veriut, Radenko Nedeljkoviç, i cili ka qenë pjesëmarrës në takimin e liderëve serbë të veriut të Kosovës me Vuçiçin, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se çështja e marrëveshjes së Brukselit nuk ka qenë farë temë e bisedës në këtë takim.
Ndërkohë, simpatizantë të Partisë Radikale Serbe kanë djegur përpara selisë së Presidencës në Beograd flamurin e BE-së dhe atë të Kosovës.
Sipas mediave serbe, ky veprim është bërë në shenjë proteste ndaj vizitës së ministrit gjerman të Punëve të Jashtme, Guido Westerwelle.
“Ne jemi sot këtu që të njoftojmë se Serbia kurrë nuk do të heqë dorë nga Kosova, pavarësisht se tani ju po i manipuloni trurin qytetarëve të Serbisë”, ka thënë nënkryetari i PRS-së, Nemanja Saroviç.
Më tej ai ka shtuar se, edhe sikur Serbia të pranojë formalisht pavarësinë e Kosovës, kjo nuk do ta ndryshonte qëndrimin e armiqve të Serbisë, Gjermanisë dhe SHBA-të.
Top Channel