Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj i ka cilësuar
krejtësisht të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane idetë
e kryeministrit serb Ivicia Daçiç, për shkëmbime territoresh në
Ballkan.

Në një intervistë për gazetën austriake “Die Presse”, Hoxhaj ka deklaruar se kjo ide e Daçiç është një ide private dhe ka theksuar se në politikë nuk mund të ketë ndarje të qëndrimeve në private dhe zyrtare.

“Për ne, ide të tilla janë të papranueshme. Janë ide kundër multietnicitetit dhe kundër vlerave evropiane. Ide të tilla mund të sjellin vetëm dhunë, që mund të reflektohet në të gjithë rajonin”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Ai po ashtu ka vlerësuar se ide të tilla mund të vënë në pikëpyetje edhe vetë sigurinë e Serbisë, duke iu referuar myslimanëve në Sanxhak, apo hungarezëve në Vojvodinë.

Gjatë intervistës shefi i diplomacisë kosovare ka theksuar gjithashtu se Serbia ka dhënë sinjale se ka pranuar realitetin e Kosovës së pavarur.

“Në këta shtatë muaj ka pasur 10 takime me palën serbe në Bruksel. Marrëveshja që kemi dialoguar atje është shumë e rëndësishme, pasi përmes saj Serbia njeh realitetin e Kosovës së pavarur, njeh Kushtetutën dhe institucionet tona”, ka nënvizuar Hoxhaj.

Ai po ashtu ka shprehur besimin se sot mes dy kryeministrave do të ketë një marrëveshje për planin implementues të marrëveshjes së 19 prillit.

“Beogradi tashmë e ka kuptuar se Kosova përgjithmonë është pjesë e shteteve të pavarura në Ballkan dhe askush nuk mund të ndalë rrjedhën e historisë. Por, ne jemi të vetëdijshëm se elita e tanishme në Serbi ka një trashëgimi shumë të rëndë”, ka shtuar Hoxhaj.

Top Channel