F1, FIA nuk lejon ndryshimet e Pirelli-t

21/05/2013 15:25

Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) mund të ndalojë Pirelli-n për të bërë ndryshimin e gomave që italianët kishin parashikuar për garën e Kanadasë. Lajmin e bën të ditur BBC që bazohet në rregulloren mbi ndryshimet gjatë kampionatit.

Rregullorja thotë: “Ndryshimet në goma përcaktohen nga FIA më 1 shtator të një viti më parë. Pasi përcaktohen, nuk mund të bëhen ndryshime të mëtejshme pa marrëveshjen e mëparshme të të gjitha skuderive që marrin pjesë në botërorin e Formulës 1.”

Duke qenë se ndryshimi nuk vjen për motive sigurie dhe nuk ka marrëveshje mes skuderive, Pirelli nuk ka argumenta për të ndryshuar përbërjen e gomave në mes të sezonit.

Ndryshimi i gomave nga Pirelli është kundërshtuar nga Ferrari dhe Lotus, skuderitë që ishin përshtatur më shumë me gomat e brishta të cilat nuk rezistojnë shumë xhiro në pistë, ndërsa Red Bull ka qenë një nga skuderitë që ka treguar hapur pakënaqësinë me këto goma.

Tashmë pritet vetëm konfirmimi zyrtar nëse FIA do të ndalojë ose jo ndryshimin e gomave Pirelli për këtë sezon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA