Tifozët e Fiorentinës, pritë Milanit

20/05/2013 00:00

U desh ndërhyrja e policisë për të shmangur një përleshje fizike mes tifozëve të Fiorentinës dhe lojtarëve të Milanit.

Duke u kthyer nga Siena, ku sapo kishin marrë biletën për në Champions, futbollistët kuqezinj janë pritur nga ultrasët vjollcë që kanë nisur të ofendojnë lojtarët dhe në veçanti Mario Balotellin.

Sulmuesi me ngjyrë, së bashku me Robinhon, ka dashur të përballet me tifozët, por janë ndaluar nga policia. Sipas ‘La Gazzetta dello Sport’, 30 tifozë të Fiorentinës i kanë zënë pritë autobusit të Milanit për të protestuar për 11-metërshin që i hapi rrugën fitores së skuadrës së Allegrit dhe la jashtë Ligës së Kampioneve skuadrën e tyre.

Trajneri i Fiorentinës, Vincenzo Montella, ironizoi pas takimit: “Jemi krenarë për kampionatin që zhvilluam. Besuam deri në fund tek vendi i tretë. Diferenca mes nesh dhe Milanit? Ata i godasin më mirë penalltitë…”

Top Channel