Pas marrëveshjes vjen zbatimi. Këtë mesazh e ka dhënë të hënën në Prishtinë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle. Strukturat paralele serbe të sigurisë që veprojnë në veriun e Kosovës duhet të shpërbëhen, ka thënë kryediplomati gjerman në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Pas marrëveshjes duhet të vijë zbatimi i saj dhe ky zbatim duhet të jetë i dukshëm për të gjithë pjesëmarrësit. Ne ishim të të njëjtit mendim se sigurisht është një detyrë e vështirë. Kjo do të thotë se strukturat paralele serbe në veri të Kosovës do të duhet të largohen, që padyshim është një kriter kyç i marrëveshjes së datës 19 prill, por nga ana tjetër kjo do të thotë se Kosova do të duhet të ofrojë lehtësira për qytetarët e saj në veri, që të lehtësoj integrimin e tyre. Ne kemi pasur një bisedë me zonjën Ashton para se të vija në Kosovë dhe këto biseda duhet të zhvillohen në mënyrë që të krijojmë bazën edhe për një plan të zbatimit të marrëveshjes”, ka deklaruar Westerwelle.

Më tej, i pyetur nëse i ka caktuar ndonjë datë Serbisë për zbatimin e marrëveshjes, Westerwelle tha se sa i përket planit të zbatimit, një plan i tillë rezulton edhe me planet kohore në Europë, kurse bisedat në takimin e së martës, sipas tij, duhet të zhvillohen në frymën e durimit dhe mençurisë.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se në takimin e së martës në Bruksel me kryeministrin serb, Daçiq, pritet të përcaktohen ndër të tjera periudhat kohore të zbatimit të marrëveshjes së arritur muajin e kaluar.

Po ashtu, Thaçi ka thënë se ajo që e bën të shpresojë se Beogradi do të pajtohet për zbatimin e marrëveshjes është se Serbia ka mësuar nga gabimet e së kaluarës dhe askush nuk mund t’i ikë zbatimit.

“Më bën të shpresoj se Beogradi ka mësuar nga gabimet e refuzimit të bashkësisë ndërkombëtar dhe të Kosovës dhe ai ndryshim apo kthesë në relacionet Kosovë-Serbi ka ndodhur më 19 prill, kur ne si dy vende për herë të parë arritëm të nënshkruajmë një marrëveshje të bashkëpunimit, marrëveshje për normalizim të raporteve, marrëveshjen e paqes mes dy vendeve tona. Ajo më e vështria është arritur, marrëveshja politike. Tani kemi të bëjmë me implementimin që nuk do të mund t’i largohet as Kosova e as Serbia. Kosova ka pranuar propozimet e zonjës Ashton për proçesin e zbatimit, tani mbetet që edhe Beogradi të pajtohet nesër në Bruksel”, ka deklaruar Thaçi.

Më tej ministri Westerwelle ka premtuar se Gjermania do të vazhdojë të angazhohet për njohjen e Kosovës nga ato shtete që ende nuk e kanë marrë një vendim të tillë.

Ndërkaq, kryeministri Thaçi ka udhëtuar gjatë pasdites për në Bruksel do të takohet me kryeministrin serb Daçiç, nën ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë europiane, Catherine Ashton.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta