Një muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme, emisioni i përjavshëm i Rudina Xhungës, “Shqip”, nuk mund të mos fokusohej përsëri në çështjet politike, të cilat në ditët e fundit janë fokusur tek konventa e Partisë Socialiste dhe mbi të gjitha, tek rivaliteti Rama-Meta, për njeriun që do të shndërrohet në kryeministrin e ardhshëm të vendit.
Kjo, por edhe çështje të tjera të aktualitetit, fushata e Partisë Demokratike, premtimet e kryeministrit Berisha, fushata e partive të tjera dhe zhvillimet e fundit politike, u sollën në studio nëpërmjet analizës së katër ekspertëve të mirënjohur, atë të Shpëtim Nazarkos, Skëndër Minxhozi, Afrim Krasniqi dhe Artan Hoxha.
Konventa e Partisë Socialiste
Duke nisur nga ngjarja e ditës, konventa e PS, në të cilën u premtua shtjellimi i imtësishëm i premtimeve të programit të “Rilindjes” dhe i ofertës qeverisëse të së majtës, Nazarko komentoi: “Kur bëhen kongrese apo konvente, mjafton të shohësh 5 minuta për të parë frymën e përgjithshme dhe sot isha në sallë për të dëshmuar këtë frymë. Në formë, Edi e ka treguar që me administrimin e Tiranës që është perfeksionist dhe kjo dihet. Nga pikëpamja e programit, natyrisht që nuk kam të njëjtat fjalë të mira si për formën dhe mënyrën. Rama u përqendrua tek taksat dhe nuk është historia e taksave ajo që duhet të jetë thelbi në këtë moment. Megjithatë, ajo që të bën përshtypje është që pa diskutim, PS ka një fizionomi të re, moderne dhe një trajtim shumë më të avancuar se partitë e tjera. Mendoj se edhe ata që nuk bien dakord me Ramën, në aspektin që ky është programi më i mirë ekonomik i 20 viteve, të paktën besoj se jemi dakord që është më i detajuari”.
Në syrin e Minxhozit, “ajo që duhet të flasë më shumë në këto zgjedhje është opozita, e cila mund ta retorikën e saj në dy pjesë. Njëra kriticizmi i punës së qeverisë në këto tetë vite, një copë rruge ku ke çfarë të thuash, ky është pozicion komod dhe e tyra, oferta e opozitës në lidhje me ato piketa që kanë shkuar keq apo mënyrë difektoze në këto vite. Nga ana e saj, qeveria po bën një fushatë më të shtrirë në terren. Në takimet me mediat, kryeministri ka gjetur formulën e thirrjeve të mediave lokale, duke i shpëtuar “zametit” të anashkalimit të studiove dhe ajo që më bën përshtypje nga qasja e qeverisë është se fraza që dëgjoj më shumë është që “do të bëjmë gjithçka është e mundur”. Berisha në këtë drejtim duket si një person që kandidon për herë të parë. i thonte sot gazetarëve që do të bëjmë gjithçka që kjo pikë në Gjirokastër të kthehet në atraksion turistik, a thua se nuk ka në listën e Gjirokastrës dy ministra me mjaft peshë që duhet të kishin pasur një sy më shumë ndaj këtij rrethi gjatë këtyre mandateve. Meta, nga ana e tij po bën një fushatë të tretë, por tashmë ai ka hequr atë pëlhurë dhe flet si një njeri që s’ka qenë asnjë ditë në qeveri, prandaj lufta Meta-Berisha tashmë është shpallur zyrtarisht”.
Në vlerësimin e tij të përqendruar eksluzivisht tek konventa, Hoxha tha: “Konventa e sotme, është faza e dytë e shpalosjes së programit, pasi kujtoj konventën 2-ditore të shkurtit e në origjinë kemi programin “Rilindje” që daton në kongresin e tetorit 2011. Nga ana e formës, nuk ka të sharë në raport me qëllimet, në konventën e sotme donin të përconin të gjithë esencën e proghramit dhe kritikës së tyre në një krah. Forma e zgjedhhur, si forma e një teatri modern të leximit të prozës, është ndryshe nga format e tjera standarte, e në fund fare, duke shfrytëzuar tektikën e bërjes së pyetjeve nga disa individë që sipas skenarit nuk janë ata të thekurit socialistë, por qytetarë të thjeshtë që kanë mëdyshje në lidhje me dy ofertat, zhvillohej thelbi i pjesëve të ndryshme të programit. Nga pikëpamja e formës, përfshi i ritmeve të daulleve, brenda kësaj them që edhe këto daulle janë një lloj gjysmëritmi ushtarak e i përzjerrë me linjë melodie, një harmoni. Nga ana e përmbatjes, programi që uën dëgjova është i njëjtë me atë që kam lexuar në dokumentin “Rilindje” të tetorit 2011, i njëjtë me atë të fillim shkurtit. Në faqen zyrtare të Partisë Socialiste nuk është botuar ende programi i detajuar qeverisës, por në thelb është po e njëjta tezë, ndaj mbeten ato pikëpyetje mes një programi sopcialist dhe një LSI-st, me përplasje të ndryshme, siç i kemi parë tek shëndetësia, ku LSI bazohet mbi sistemin e sigurimeve, ndërsa PS propozon shëndetësi falas për të gjithë”.
“Ky është marketing politik tipik, por në kontrast të thellë me realitetit. Në një popull të varfër, kjo konventë dhe të gjithë fushatat e tjera në Shqipëri ngjajnë si ato ballot e 1930, me kostumet perëndimore dhe veshjet luksoze, ku njerëzit e pasur që nuk tregonin si i merrnin paratë, bënin garë kush kërcente më mirë, kush vishej më mirë, etj”, komentoi ish-sekretari politik i FRD-së, Afrim Krasniqi, tashmë në rolin e një analisti të pavarur.
“Kjo më duket edhe një lloj gare mes partive, me një imazh që nuk i përshtatet realitetit. Në Bullgari, në zgjedhjet e përpara dy javëve, retorika nuk ishte do të zgjidhim prioblemet, por do të kursejmë më shumë, ndërsa këtu thuhet vetëm do japim do japim. Kamera shkon gjithandej për t’u marrë me grimcat e fushatës e nëse do të kalohet në përmbajtje, ky është lajmi më i mirë i fushatës”.
Kryeministri i ardhshëm, Rama apo Meta?
Në vazhdim të “Shqip”-it, emisionit të përhënshëm të Rudina Xhungës, biseda u përqendrua tek deklarata e Naços në Berat, që ditën e dielë, gjatë fushatës së LSI-së në këtë zonë, iu referua kryetarit të partisë së tij si kryeministri i ardhshëm i vendit. Një deklaratë e tillë u vendos menjëherë në qendër të vëmendjes mediatike, por për zotin Krasniqi, kjo është vetëm një lëizje e thjeshtë taktike. “Kjo është një skemë taktike, që ju kujtoj që ka funksionuar. Në vitin 1996, kam qenë unë që kam drejtuar një fushatë dhe mora posaçërisht urdhër që të thoja se kush do të ishte kryeministër apo jo. Kjo ndodh edhe me përhapjen e zërave për ministra, duke thënë në rrethe të ndryshme se i pari mund të bëhet ministër, kështu që edhe deputetë të vendosur më poshtë në listë kanë shanset e tyre për të fituar. Unë besoj edhe se nëse LSI i thotë njerëzve që nuk do të vijë në pushtet, kush do ta votojë? Ky është një biznes dhe përpjepje për të tërhequr vota lokale”.
Një mendim të ndryshëm ndau zoti Hoxha, i cili nuk sheh një deklaratë mediatike, por një luftë të vërtetë brenda koalicionit të majtë, për karrigen e kreut të shtetit. “Nuk e di të vërtetën. Në këtë pikë, vetëm mund të spekulojmë për gjëra të thëna në konfidencialitet për takimin e Lalzit, etj. Megjithatë, vë re se të thënat publike të Ramës, që përpara 1 prillit thonte do të jem kryeministër. Frekuenca pas 1 prillit ka rënë ndjeshëm, mund ta ketë thënë një apo dy herë dhe e dyta ishte në Vlorë. Në konventën e djeshme, të gjithë aleatët e PS, e mbyllën fjalimin me shprehjen Rama kryeministër. Meta nuk e përmendi dhe nuk e mbylli në këtë mënyrë. E kemi pastaj deklaratën e djeshme, kur zoti Naço, në prezencë të tij thotë që Meta kryeministër. Mund të jetë në kokën e Naços kjo mundësi, por ka shumë mundësi, duke parë retorikën, që do të adresohet pas zgjedhjeve në bazë të raportit të numrave”.
Këto konstatimi u mohuan nga zoti Minxhozi. “Në të gjitha mitingjet publike në qarqe, Rama i është drejtar popullit në një marrëdhënie personale. Unë kryeministër do të bëj këto. Është përmendur pafundësisht shprehja qeveria ime”, kundërshtoi Minxhozi. “Pastaj, të gjithë daljet jashtë të Edi Ramës, të gjithë formulojnë përkrahjen e aleatëve ndërkombëtare për ardhjen në pushtet të Ramës e i fundit ishte Tony Blair që pati pasqyrim edhe në mediat britanike. Tashmë ëhtë lançuar ideja e Ramës kryeministër dhe unë besoj se këtu ecet me kriterin e përbotshëm, partia kryesore merr kreun e ekzekutivit”.
Më radikal në mendimin e tij zoti Nazarko, i cili beson më shumë në një përpjekje mediatike të së djathtës për të përçarë kundërshtarin e këtyre zgjedhjeve. “Edhe pse e çmoj Berishën si takticienin më të madh të politikës, besoj se do të heqë dorë sepse është topitur ajo ndienja e goditjes dhe ky financim i kësaj gracke të re për të ndezur sherr në të majtë nuk ka shanse të jetë i suksesshëm. Besoj se s’do të ketë shanse. Jam dakord në përgjithësi me Afrimin për marketingun politik, por kjo deklaratë ka ndodhur në bastionin më të sigurt të LSI, në Berat. Që të besohet kjo deklaratë, duhet përsëritur edhe në disa zona të tjera e ju siguroj që kjo s’do të ndodhë. Ai që ka krijuar këtë skemë tek PD, do të herë shpejt dorë”, theksoi Nazarko.
Zgjedhja e Ramës për të kandiduar në Vlorë dhe skenaret
Analisti Shpëtim Nazarko deklaroi se zgjedhja e Ramës ishte një zgjedhje pragmatiste për të rritur peshën e së majtës në një zonë bastion. Megjithatë, ai vlerësoi si të gabuara disa taktika parazgjedhore të ndjekura nga Rama, si përcaktimi i kandidatëve jo nga e njëjta zonë dhe krijimin i pakënaqësive me listat: “Deputetët në zonat që kanë peshën më të madhe të së majtës, janë emra që nuk janë nga ato zona. Rama po luan bixhoz me fatin e tij politik. Vetë unë nuk do ta bëja këtë, si me Malajn dhe Islamin ndaj them se eksperienca politike e Ramës ngelet e dobët”, tha ai.
Ndërsa analisti tjetër, Skënder Minxhozi vlerësoi si taktikë elektorale të Ramës për të kandiduar në Vlorë. Sipas tij, me këtë Rama synon t’i japë një impuls të ri jugut, aty ku janë të përqendruara edhe votat e mbledhura nga e majta: “Zgjedhja e Ramës për të kandiduar në Vlorë është politike. E para ka momentin personal, Rama kandidon në vlorë sepse ajo është një bastion dhe sepse kështu mendon se do të japë një impuls gjithë jugut, që është pjesa që do shënojë përmbysjen e numrave negativë të fitoreve të deputetëve në rrethinat e Tiranës. Kjo është taktika elektorale e Ramës. Në planin personal është një përzgjedhje e gjetur, një qendrim i drejtë për t’u ngulur në qytetin që i ka dhënë qeverinë e parë të shtetit shqiptar. Loja taktike e qeverisë është kundër Kokëdhimës, lista e hartuar nga rama duhet gjykuar në pamjen e shifrave, ndërsa është për t’u parë roli frenues i Malajt”, tha Minxhozi.
Afrim Krasniqi e cilësoi të gabuar vendimin e Ramës për të kandiduar në Vlorë. Ai tha se si kryeministër, në rast të fitores më 23 qershor, Rama do të duhej të kandidonte në kryeqytet: Rama duhet të kandidonte në Tiranë. Tirana është kryeqyteti dhe Rama do jetë kryeministër. Investimi i PS është në jug të vendit, në veri të gjitha figurat e së majtës janë të nivelit të dytë”, tha ai.
Lidhur me ndikimin që do të ketë kandidimi i Ramës në zonat e tjera të vendit, analisti Artan Hoxha ishte i mendimit se nuk do të ndikojë. Ai tha se zgjedhja e Ramës është në koherencë me sloganin e Rilindjes: “Nga ana e rëndësisë elektorale, Rama është njësoj në gjithë Shqipërinë. Një motiv i Ramës se pse ka zgjedhur Vlorën është se atje është në koherencë me sloganin Rilindje. Vlora është qyteti i shpalljes së pavarësisë dhe ka këtë simbolikë. Ai ka marrë simbolikën e Vlorës, edhe si një bastion socialist. Të tjerat janë pastaj kosto ose përfitime elektorale. Kandidimi i Kokëdhimës shkaktoi goxha reagime të forta në të majtë, kujtoj shkrimet e Mustafa Nanos dhe Mero Bazes dhe kjo mbetet për t’u parë pas 23 qershorit”, tha Hoxha.
Shpëtim Nazarko vlerësoi vendimin e Arben Malajt për të mos përfshirë Fatos Nanon në fushatë elektorale, ndërsa Skënder Minxhozi tha se efekti Malaj përfundoi dhe se ai nuk do ketë kurrëfarë ndikimi. I të njëjtit mendim ishte edhe Afrim Krasniqi i cili arsyetoi se sistemi elektoral nuk lejon që një kandidat i pavarur të ketë efekte.
Sa e bashkuar është e majta?
Shpëtim Nazarko deklaroi se nuk mund të flitet ende për një të majtë të bashkuar, por për dy parti të majta që po i afrohen fundit të një cikli. “Nuk mund të flasim për një të majtë të bashkuar, por për dy parti të majta që po i afrohen fundit të një cikli. Unë s’shoh asgjë përvec episodeve komiko-tragjike të personazheve të caktuar”, tha ai.
Ndërkohë Skënder Minxhozi tha se ende nuk është realitet një e majtë e bashkuar. Ai vlerësoi se me lëvizjet e fundit, ka humbur konceptim i së majtës dhe së djathtës në vendin tonë dhe ajo që ka mbetur janë vetëm dy palë kundërshtare: “E majta e bashkuara është më shumë një nocion se sa një realitet. Berisha e nisi mazhorancën me 4 mandate të majta dhe e mbylli me 3 mandate të majta. Po, e majta është më e bashkuar se në 2009, mund t’i ketë ikur ndonjë numër votash, një pjesë e entuziazmit gjatë listës së aleancave, mund të ishte vepruar taktikisht më mirë, por kjo e majtë nuk mund të analizohet më me PS plus LSI baraz me x vota, sepse sot nuk kemi dy të majta që rivalizojnë njëri-tjetrin, nuk kemi një shumatore për aritmetikën mes tyre. Kemi një bashkim afatgjatë ose afatmesëm. Por me lëvizjet ka humbur kuptimi i së majtës dhe së djathtës, le t’i ndajmë në dy palë kundërshtare më mirë”, tha Minxhozi.
Artan Hoxha e quajti bashkimin të vonuar. Sipas tij, ky bashkim duhet të kishte ndodhur që në 2009-ën dhe vendi do i ishte shmangur kalvarit të gjatë ekstremizmash politikë. “Një bashkim i vonë, por më mirë vonë se kurrë. Mund të kishte ndodhur që në 2009 dhe vendi të mos kalonte gjithë këtë kalvar ekstremizmash politikë. Dhe gjithë kjo është kuptuar me vonesë nga Edi Rama”, tha ai.
Afrim Krasniqi vlerësoi se në kushtet e vendit tonë, do të duhej më shumë një bashkim moral. Sipas tij, bashkimi që ofroi Rama ishte tepër pragmatist dhe tërësisht për cështje shifrash: “Në kushtet e Shqipërisë do kishim nevojë për një bashkim moral, por me këtë formulë koalicioni i majtë është i bashkuar në bashkim shifrash, dhe jo vlerash. Ata kanë diskutuar emrat, dhe jo sistemin”, tha ai.
Top Channel