Reali zyrtarizon largimin e Mourinhos

20/05/2013 20:20

Jose Mourinho nuk do të jetë më trajner i Realit të Madridit, pasi presidenti i klubit, Florentino Perez, lajmëroi pasditen e së hënës se me vullnetin e të dyja palëve, kontrata që e lidhte trajnerin me klubin ndërpritet.

“Unë mendoj se bilanci i punës së Mourinhos është pozitiv, duke hedhur një hap të rëndësishëm përpara në cilësinë e klubit dhe konkurrencën tonë. Prej gjashtë vitesh nuk kalonim raundin 1/16 në Champions, ndërsa me Jose arritëm tre herë në gjysmëfinale dhe fituam një kampionat. Puna e tij ka qenë e lavdërueshme, por menduam që ky ishte momenti më i mirë, për të ndërprerë këtë marrëdhënie, me synimin ngritjen e Realit në një nivel të ri sportiv”, tha Florentino gjatë fjalës së tij në bordin e aksionerëve.

Ndërsa falenderoi Mourinhon për punën e tij dhe theksoi se vullneti për t’u larguar ishte i dyanshëm, e se nuk bëhet fjalë për një shkarkim, Florentino deshi të përcakonte se nuk ka ende asnjë opsion apo parakontratë me asnjë trajner tjetër.

Në mënyrë të tërthorrtë, Perez hodhi poshtë spekulimet për një marrëveshje të arritur ndërkohë me Ancelottin, ndërsa tha: “Deri më sot kemi pasur një trajner. Vetëm nesër do të nisim kërkimet për një të ri”.

Në fjalën e tij, Florentino lajmëroi edhe për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në muajin qershor, zgjedhje në të cilat ai do të konkurrojë për një mandat të ri në krye të “los blancos”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA