“Bashkë për një fitore plebishitare që sjell ndryshimin rrënjësor.” Me këtë moto Partia Socialiste nisi konvetën kombëtare 2-ditore.

Në ditën e saj të parë të gjithë liderët e koalicionit për një Shqipëri Europiane, pas shumë vitesh ndarjeje, u bashkuan jo vetëm vizualisht krah përkrah njëri-tjetrit, por edhe për të përçuar mesazhin e një të majte të fortë si asnjëherë më parë, siç e quajti Edi Rama këtë bashkim.

Ndërsa Ilir Meta, një aleat i rëndësishëm i këtij koalicioni, u shpreh se e majta në 23 qershor do të arrijë një fitore plebishitare. Konventa Kombëtare e PS-së u mbyll me prezantimin e 140 kandidatëve socialistë, të cilët do të garojnë në këto zgjedhje parlamentare.

Edi Rama tha se ai ndjehej krenar për PS-në, e cila ka një program të detajuar që një forcë politike ka patur këto 20 vjet përpara këtij ballafaqimi zgjedhor: “Jemi shumica e shqiptarëve që me forcën e një ëndrre do të shkojnë përpara drejt 23 qershorit. Partia Socialiste është lokomotiva e një transformimi të madh.”

Kandidatët gjatë fjalës së tyre u ndalën në dy momente. Situatën social-shoqërore në qarqet e tyre dhe si projekti i Rilindjes do të sjellë ndryshimin.

Valentina Leskaj – “Dua të garantoj se nga Vlora do të fillojë Rilindja dhe fitorja në këtë qytet do të jetë spektakolare.

Pandeli Majko – “Fushata elektorale në Tiranë është më e thjeshta, por edhe më e vështira pasi Tirana është pasqyra më e mirë e asaj që ikën dhe asaj që po vjen.”

Gramoz Ruçi
– “Sot, Lushnja është e bllokuar me Beratin. Krasta e Fierit vuan për një rrugë 9 kilometra nga Saliu i mijëra kilometrave.”

Ben Blushi – “Jam krenar që Elbasani do i sjellë Partisë Socialiste një fitore të madhe më 23 qershor.”

Mimi Kodheli – “Ne, përfaqësuesit e qarkut të Lezhës do të bëjmë diferencën në fitoren e PS-së në zgjedhje.”

Blendi Klosi – “I premtojmë Durrësit se do i rikthejmë Rilindjen në çdo minutë të punës sonë. I premtojmë Krujës dhe Fushë-Krujës se do i heqim pluhurin e korrupsionit të guroreve. I premtojmë Shijakut rikthimin e dinjitetit të munguar.”

Fidel Ylli – “Qarku i Beratit ka ngelur si një ishull larg Shqipërisë, pa rrugë, pa investime, pa shkolla dhe pa shëndetësi. Do të bëjmë ndryshimin dhe premtojmë se do e fillojmë me rrugën Lushnje-Berat, Berat-Skrapar dhe Skrapar-Tre Urat.”

Arben Ahmetaj – “Qarku i Gjirokastrës do i japë Partisë Socialiste 4 mandate në mënyrë që të sigurohet fitorja e madhe.”

Bashkim Fino – “Do të fillojë një kohë e re për Korçën, Pogradecin, Kolonjën dhe Devollin. Rilindja Kombëtare tingëllon më bukur se kudo tjetër në Korçë.”

Mimoza Hafizi – “Shkodranët janë dyfish më të papunë se mesatarja e vendit.”

Shkëlqim Cami – “Mati, Bulqiza dhe Dibra do të jenë pjesë e kësaj fitoreje plebishitare në 23 qershor.”

Vexhi Muçmataj – “Qarku i Kukësit është më i varfëri në vend dhe ne do e ndryshojmë këtë situatë pas 23 qershorit.”

Pasditën e së hënës, në ditën e dytë të konventës, pritet paraqitja e detajuar e programit për një rilindje shqiptare pas një prezantimi për gati dy vjet në çdo cep të Shqipërisë.

Top Channel