" /> ">

Iran, ekzekutohen dy “spiunët” e CIA-s

20/05/2013 15:20

Dy persona, të akuzuar si spiunë të CIA-s dhe “Mossad”-it izraelit u ekzekutuan me varje në Iran ditën e dielë, informoi televizioni shtetëror i vendit aziatik.

Të ekzekutuarit, shtetasit Mohammad Heidari dhe Kourosh Ahmadi, sipas akuzës së dyshimtë të ngritur ndaj tyre, furnizuan me informacion shërbimet sekrete të dy armiqve kryesorë ndërkombëtare të Iranit.

Megjithatë, Teherani nuk publikoi asnjë të dhënë për momentin e arrestimit apo detaje të tjera të gjykimit të tyre.

Zyrtarë në Tel Aviv nuk e komentuan këtë ngjarje. Edhe në Uashington u ruajt heshtja, ndonjëse një zëdhënës i Departamentit të Shtetit pranoi se vërtetësia dhe rrethanat e kësaj ngjarje po hetohen.

Irani është një prej vendeve që përdor më shumë dënimin me vdekje në botë dhe për këtë ka marrë akuza të ashpra nga organizata ndërkombëtare si “Human Rights Activists” dhe të tjera.

Sipas “HRA”-së, që i referohet të dhënave zyrtare, gjatë 2012-s, në Iran u zbatuan 488 dënime me vdekje me vare. Një pjesë e tyre, rreth 50 të tilla, ishin ekzekutime publike.

Midis ekzekutimeve të vitit të shkuar, ra në sy ajo e Majid Hamali Fashi, i akuzuar se vrau një shkencëtar bërthamor me urdhër të Izraelit.

Në gjyqin e zhvilluar, Teherani pretendoi se “provoi” akuzën, sipas të cilës Fashi ishte paguar me 120 mijë dollarë, për të eliminuar shkencëtarin e thërrmijave bërthamore, Massoud Ali-Mohammadi.

Top Channel