Çdo marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe ndonjë shteti tjetër, e cila ka të bëjë me pasuritë e Kosovës, shkel dhe cënon rëndë shtetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi ka deklaruar se nuk ka informacion për ndonjë marrëveshje të arritur nërmjet Serbisë dhe një kompanie amerikane për shitjen e Trepçës, përveç asaj që është thënë në media. Sipas kryeparlamentarit, për këtë duhet të pyetet më shumë qeveria.

“Ne nuk kemi informacione për këtë çështje, kemi informacione të marra nga mediat që për mua, për të dhënë mendimin nga pozita të cilën kam, nuk mjafton. Këto pyetje duhet t’i drejtohen qeverisë si përgjegjësja kryesore edhe me Kushtetutë për ekzekutimin dhe mbrojtjen e pasurisë së qytetarëve dhe Kosovës në përgjithësi”, ka deklaruar Krasniqi.

Sipas Krasniqit, Serbia përderisa e ka bërë këtë marrëveshje me kompaninë amerikane për shitjen e Trepçës, është bazuar në marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, për të cilën ai shprehet se nuk është në dijeni se çfarë përfshin. “Përndryshe është cënim i rëndë që i është bërë shtetit të Kosovës”, ka theksuar Krasniqi.

Pak ditë më parë, konsorciumi amerikan “New Generation Power” nga shteti Ilinois, raportohet se nënshkroi një kontratë me Ministrinë e Minierave dhe Resurseve Natyrore të Serbisë për bashkëpunim biznesi dhe teknik në kombinatin e Trepçës, në veri të Mitrovicës.

Trepça, AKP kërkon anulimin e kontratës

Agjencia bëhet gati t’i drejtohet gjykatës

Agjencia Kosovare e Privatizimit do të kërkojë nga gjykata anulimin e marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet kompanisë amerikane “New Generation Power” dhe qeverisë së Serbisë për investime në minierat e Trepçës në veri të Kosovës.

Po kështu, AKP-ja, sipas drejtorit menaxhues të saj Shkelzen Lluka, ka kërkuar nga menaxhmenti serb i Trepçës informacione zyrtare lidhur me këtë marrëveshje. Lluka deklaroi se sapo të merren informatat për palët nënshkruese të marrëveshjes në fjalë, atëherë do të kërkohet nga gjykata anulimi i saj.

Nga ana tjetër, qeveria e Kosovës të hënën ka kërkuar sqarim nga ambasada amerikane në Prishtinë rreth kësaj çështjeje. Këtë e konfirmoi zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari Lila.

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë as të hënën nuk e komentoi marrëveshjen që një kompani amerikane ka nënshkruar me qeverinë e Serbisë për të investuar në sektorin e minierave në Kosovë.

Duke qenë se ndërmarrja Trepça është në proçes riorgnaizimi, i cili kontrollohet nga Dhoma e Veçante e Gjykatë Supreme, Top Channel ka kontaktuar edhe me kryetarin e saj, gjyqtarin Sahit Sylejmani, i cili për shkaqe shëndetësore tha se nuk mund të flasë për këtë temë. 

Ambasada USA reagon ndaj “NGP”
Për investime kontaktoni qeverinë e Kosovës

Ambasada amerikane në Prishtinë i kujton kompanisë amerikane “New Generation Power” se qeveria e Serbisë nuk ka juridiksion mbi kompleksin memorial Trepça dhe e rekomandon secilën kompani që kërkon të investojë në territorin e Kosovës që të diskutojë direkt me qeverinë kosovare.

Ky qëndrim i ambasadës së SHBA në Prishtinë vjen pak ditë pasi kompania “New Generation Power”, me seli në Illinois, nënshkroi një marrëveshje me qeverinë e Serbisë për të investuar në minierat e Trepçës në veri të Kosovës. Në komunikatën për media të ambasades thuhet më tutje se:

“Gjersa ambasada e SHBA-ve në Prisjtinë nuk është marrë me “New Generation Power”, zyrtarë të Departamentit të Shtetit në Uashington e kanë këshilluar kompaninë se Kosova është shtet sovran dhe se qeveria e Serbisë nuk ka jurisdiksion mbi kompleksin e minierave të Trepçës. Departamenti i Shtetit po ashtu inkurajoi kompaninë që të kontaktojë qeverinë e Kosovës direkt për të diskutuar lidhur me investimin që ka propozuar”.

“Ne e dimë se rruga para kompleksit të minierave të Trepçës është sfiduese dhe do të vazhdojmë të rekomandojmë që investuesit potencialë nga SHBA-të të hulumtojnë tërësisht ndërmarrjen dhe statusin e saj”, përfundon komunikata e ambasades amerikane në Prishtinë.

Top Channel