Rafael Benitez, i cili pritet të zëvendësohet me Mourinhon në stolin e Chelsea për sezonin e ardhshëm, mund të rikthehet në Serinë A, pas përvojës 6-mujore në stolin e Interit.
“La Gazzetta dello Sport” informoi se spanjolli u takua ditën e hënë në Londër me presidentin e Napolit, Aurelio de Laurentis, i cili shoqërohej edhe nga drejtori sportiv Bigon.
Takimi midis dy drejtuesve më të lartë të Napolit dhe trajnerit që udhëhoqi Chelsea drejt fitores së Europa League, ndodh vetëm një ditë pasi Mazzari konfirmoi largimin e tij nga stoli i Napolit.
Pas katër vitesh në drejtimin e napolitanëve, Mazzari argumentoi të dielën se cikli i tij ishte mbyllur dhe se ndihej krenar që e linte klubin në Champions dhe nënkampion të Italisë.
Nuk është ende e qartë se në çfarë faze janë bisedimet me Benitezin, i cili mbetet ende objektivi kryesor për De Laurentis.
Sipas “La Gazzetta”-s, që i referohet burimeve pranë presidentit, tashmë ekziston një parakontratë dhe konfirmimi mund të jetë i afërt”.
Top Channel