Fatos Baxhaku – Kryeministri Berisha e tha fort e shkoqur në Berat tri
ditë më parë: Secili të vendosë të votojë sipas bindjes së tij! Askush
nuk mund ta thotë nëse kjo ishte bindja e tij e vërtetë, por ama askush
nuk ka të drejtë të vërë në dyshim proklamatën publike të një njeriu
historik – disa thonë në të mirë, disa të tjerë në të keq – të një
personazhi të tillë.

Pra, e thënë më shkoqur, Berisha na premtoi se askush nuk do të cenohet për votën pro apo kundër, askush nuk do të hiqet nga puna për këtë gjë. Nuk ka ndodhur kështu më parë, po nejse, të shkuara të harruara. Optimizmi në çdo rast është më i mbarë se pesimizmi qaraman. Dhe prandaj le ta besojmë, me një dozë të fortë optimizmi, këtë deklaratë të Kryeministrit.

Atëherë, meqë punët janë kështu, meqë vota na “paskërkëshka qenë” e lirë në Shqipëri, ndonëse punët po venë mbrapsht sa s’ka më ku të vejë, si ka mundësi që një popull që voton i lirë, të jetë ende më shekuj pas qoftë edhe në krahasim me ata që e rrethojnë? Mos ndoshta nuk na e ka fajin as Berisha, as Rama, as Meta apo Nano, porse ne vetë?

Dreqi ta hajë, politika është lodhur për ne në gjithë këto 23 vjet që të na bëjë njerëz dhe ne këmbëngulim të mos jemi! Mos vallë është kështu? Cili është përgjegjës i ngërçit, që na zë frymën, na errëson sytë, na shurdhon dëgjimin dhe disa prej nesh i bën të marrë ëndërrimtarë?

Mund të jetë një marrëzi me okë, por mbase ha diskutim ideja që fajin e kemi ne vetë se në vend që – njësoj si në një kampionat futbolli – të ndahemi në kategoritë përkatëse, ne jemi ndarë, fare pa lidhje në të majtë e të djathtë.

Meqë të gjithë deklarohen politikanë të mbarë, të mirë vizionarë e djem të mirë, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të klasifikojmë veten. Mbase kështu do ta gjejmë më mirë vendin që na takon në këtë pjesë të diellit që na ka dhuruar Perëndia. Le ta nisim me radhë, në votimet ardhshme nuk ka vetëm parti por në radhë të parë ka:

Militantë pa arsye

Këta, në fakt, janë një pjesë e mirë e popullsisë së Republikës së Shqipërisë. Këta nuk mendojnë me arsye – e di që ndokush mund të thotë që po ofendon votuesit, por ama boll na kanë ofenduar ne të tjerëve ata vetë – porse eksitohen mjafton të shohin “lojtarin” e tyre të preferuar, që vret e pret sa majtas djathtas. Për ta politika është një gjë e pavlerë, është një besë e dhënë pa arsye, është një mburojë për të mos e vrarë mendjen. E përse duhet të mendosh, kur këtë e bën një lider që del 100 herë në TV? Të menduarit për ta është një veti negative, është një humbje e kotë kohe. Logjika ka të bëjë vetëm me “djemtë e mamit”. I fortë është ai që nuk mendon. Sipas tyre mendimi e vyshk shtatin. Pastaj, a nuk është lideri i gjatë, i paepur, i palodhur, pa vese, plotësimi i të gjitha ëndrrave rinore? Këta, tifozët pa kufij, janë një pjesë e rëndësishme politike e popullit shqiptar europian. Mos vallë jeni edhe ju kështu? Nëse e shihni veten këtu, vriteni mendjen një herë. Mbase ia vlen…

Interesaxhinj me logjikë

Ka një pjesë të mirë të popullsisë që është në marrëdhënie pune me shtetin. Këtë pjesë e ka zënë belaja, vërtet një bela e madhe. Ka nga këta që nuk kanë asnjë simpati politike, por me një mijë e një telashe kanë arritur më në fund të bëhen nëpunës tatimorë, doganierë, mësues, nëpunës të thjeshtë, madje ndokush ka arritur të bëhet edhe ministër. Diku me aftësitë e tyre, diku duke u servilosur, diku duke bërë të paditurin, kanë arritur, më në fund që të sigurojnë bukën e gojës për vete dhe për fëmijët e tyre. Por, nga ana tjetër, historia e tyre familjare flet ndryshe, bindjet e tyre janë ndryshe, porse ata janë të detyruar, nga frika, interesi, dhe aspak nga bindjet, që të paraqiten te zyrat lokale të PD-Së dhe të shprehin zellin e tyre shpeshherë të gënjeshtërt për partinë në pushtet. Ka shumë prej tyre që deklarohen me pozitën ndërsa votën do ta hedhin fshehurazi për opozitën. Kjo vjen nga një mijë e një arsye. Nga vendi i origjinës, nga familja, nga vuajtjet, që i ka shkaktuar shefi militant pa arsim përkatës, nga padrejtësitë, që i shikon për ditë dhe që nuk ka se ku t’i thotë, nga shumë gjëra… Votat e interesaxhinjve me logjikë, janë të paparashikuara. Është e kotë që sondazhet e shumta t’i marrin parasysh. Interesaxhinjtë me logjikë kanë, në fakt, një logjikë të paparashikueshme. Ata do presin me durim deri në fund se në cilën anë do të peshojë kandari. Jemi, apo nuk jemi me logjikë?

Ëndërrimtarë të zhgënjyer

Për fat, të mirë, apo të keq në këtë vend kanë mbetur ende njerëz që mendojnë me kokën e tyre, njerëz që janë të lidhur me këtë vend deri në palcë të shpirtit, njerëz që nuk e kuptojnë se si ka mundësi që ky vend të bjerë në dorë të disave që e kanë mendjen vetëm te ndarja e parave. Këta janë zakonisht profesionistë: këpucarë, muratorë, inxhinierë, mjekë, mësues, kovaçë, sportistë, juristë, biznesmenë të papërlyer, shitës të vegjël, gazetarë të paanshëm – nëse ende kanë mbetur – operatorë turistikë, emigrantë të thjeshtë, artistë, të cilët me politikën nuk kanë ndonjë lidhje të mbarë, edukatore kopshti, fshatarë që punojnë tokën ende me plugun e vjetër, peshkatarë e marinarë, policë të thjeshtë, por edhe komisarë të përkushtuar, prokurorë e gjykatës, që e ndiejnë veten ende në trysninë e pashembullt të politikës… Të gjithë këta përbëjnë, apo më mirë më thënë duhej të përbënin, ashtin e kombit, pavarësisht nga partitë, që shkojnë e vijnë, sikurse është e drejtë të jetë në një demokraci.

Të gjitha këto kategori ndihen të zhgënjyera sepse në thelb është këputur ëndrra e tyre e parë: Nuk ka qenë aspak të shkojmë në Europë, apo slogane të tilla propagandistike. Ëndrra e tyre e madhe ka qenë Shqipëria e munguar. Ne nuk kemi pasur kurrë një Atdhe ku secili të ndihej në shtëpinë e tij. Kjo don të thotë shumë. E atëherë kemi të drejtë të na lindë pyetja: A jemi ne me veten?

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA