Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi në Postribë të Shkodrës se Partia Demokratike është një forcë e premtimeve të mbajtura dhe se në 23 qershor sipas saj do të bëhet diferenca e madhe mes integrimit në BE dhe bllokimit.

“Është diferenca mes atij që ka ndryshuar Shqipërinë dhe atij që nxihet sa herë që Shqipëria arrin një progres të jashtëzakonshëm. Edvin Rama shkon si humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve”, theksoi Topalli.

Fatmir Mediu në Kamëz: PR, pjesë e një aleance që kontribuon me vlera

Kreu republikan Fatmir Mediu, ka prezantuar në Kamëz kandidaten për deputete të PR-së, zonjën Rozeta Shira. Mediu theksoi se forca poltike që drejton po shkon në zgjedhjet e 23 qershorit si pjesë e një aleance ku kontribuon me vlera, ide dhe njerëz.

“Jeta, liria dhe prona private janë të drejta hyjnore dhe mundësi që duhen gëzuar dhe zhvilluar nëpërmjet punës së ndershme dhe ky është besimi që përcjell Partia Republikane”, deklaroi Mediu.

 Idrizi në Kukës:  PDIU, forca e vetme që i ka dhënë vizion bashkimit kombëtar

Me moton “Unë e dua Shqipërinë e bashkuar”, kreu i PDIU-së ka çelur fushatën elektorale për qarkun e Kukësit. Shqiptarët, tha Idrizi, nuk duhet të ndahen në veri dhe jug, por duhet të punojnë së bashku për Shqipërinë e bashkuar.

“Për partinë tonë është e rëndësishme që shqiptarët të mos i ndajmë. Jemi të gjithë të bashkuar në aspiratën tonë europiane”, nënvizoi Idrizi.

Top Channel