Sokol Shameti – E pandalshme seria e profkave që vetë Partia Socialiste po i kurdis Partisë Socialiste për ta çuar këtë të fundit drejt humbjes.
A do aleancë turpi më 1 prill? A do kryetarin që shkon e bën skandal në Vjenë? A do Koçon në listën e Vlorës? A do autobusin e luksit që shet tangërllëk mes mjerimit të përgjithshëm? S’kalon javë pa një surprizë. Megjithatë kemi arritur në orën kur ithtarëve të rotacionit, u ka mbetur vetëm një flamur për ta valëvitur si arsyen pse duhet të ndodhë rotacioni.
Siç është kapur edhe nga sensorët e shumë vëzhguesve të tjerë – arsyeja tepër bindëse që rrotullojnë tani në ajër rotacionistët është: “Le ta provojmë një herë qeverisjen e Ramës. Po doli për hajër, veç nesh fitoni edhe ju. Po ishte e keqe, ju humbisni ne bëjmë pallë”. Me pak fjalë, opozita që e ka zakon ta quajë vetveten të majtë, po i fton shqiptarët të luajnë loto më 23 qershor. Një lloj bixhozi ku vetë ata, në të dyja rastet, e kanë të garantuar fitoren dhe ku populli investon qorrazi të ardhmen e fëmijëve të vet. Ka megjithatë edhe një mënyrë tjetër sesi ne, populli i thjeshtë, mund ta filtrojmë këtë lojë e kuqe e zezë ku po na nxisin të përfshihemi.
Ajo çka nuk fshihet dot është se nëse Partia Socialiste humbet, kjo do të jetë një humbje që ajo vetë ia ka shkaktuar vetvetes. Nëse përballë një kundërshtari të diskredituar, i cili është ezauruar për 8 vjet në pushtet e që është gërryer nën erozionin e çdo skandali të mundshëm, përsëri kjo biçim opozite nuk arrin të fitojë, nuk ka më gojë askush të qortojë prapë pushtetin. Vetëm herën e parë e kanë fajin hajdutët në të grabitshin shtëpinë. Po ndodhi për herë të dytë, të tretë e të katërt, fajin mbaje vetë, pasi me shumë gjasë, mund të jetë duke të të lezetuar ky lloj përdhunimi i përsëritur. Në këtë rast i mbetet vetë Partisë Socialiste ta lokalizojë vatrën e saj të infeksionit dhe ta kurojë atë.
Nga ana tjetër, nëse kjo parti fiton kjo do të jetë një nga fitoret më të rrezikshme për shqiptarët që do të qeverisen prej saj. E rrezikshme, sepse ajo do të jetë një fitore që kjo lloj opozite e ka arritur pa begenisur, madje as të pretendojë se ajo është e mira, por thjesht sepse kundërshtari i vet qëllon që është dordoleci i ngulur në arë për të kallur datën dhe për t’u urryer nga të gjithë. Poshtëruese, sepse njerëzit që do t’i blatojnë fitoren një krushqie si kjo që vetëquhet sot “e majta”, do të shikohen pasandaj prej Ramës me shokë, si një tufë gomarësh. Si ca leshko që arritën deri aty sa t’ua dhurojnë pushtetin kur këta vetë po bënin çmos për të treguar se nuk ishin ata njerëzit që do t’i shpëtonin nga varfëria që buron prej paaftësisë së qeverisë për të ndalur grykësinë e biznesit.
Sigurisht që shumë njerëz të përndezur nga zjarrmia e fushatës dhe që e duan me zemër të majtën do të rrudhin buzët dhe do ta rendisin autorin e këtyre radhëve në stanin e atij Nastradini që sundon sot Shqipërinë (zaten, edhe për shkak se përballë tij ka një karikaturë të së majtës siç është Edi Rama). Por po të gjykojmë paksa më me realizëm e të shohim një renditje të fakteve, do të na rezultojë se vërtet një fitore eventuale e Partisë Socialiste në këto zgjedhje s’do të ishte thjesht një nga grushtet më të rënda që e majta do të merrte përfundimisht në Shqipëri. Ajo do të ishte edhe një cunam i vërtetë për gjithë shoqërinë dhe shpresën tonë për një demokraci funksionale.
Kjo do të ishte një fitore që PS do ta arrinte pasi është tallur për tetë vjet rëndshëm me idealizmin e njerëzve. Një fitore e partisë, e cila u shtir se qau kur plasi Gërdeci dhe pastaj shkon e na cakton si kandidat të sajin një garant të mos-hetimit të Gërdecit. Partisë që ulëriti “na vranë” më 21 janar e që pastaj u shtri lakuriq në krevat me sponsorin gjeneral të 21 janarit. Partisë që për 8 vjet akuzoi modelin zhvatës të qeveritarëve dhe që pastaj në mënyrë donkishoteske vajti e përzgjodhi Sançon më të babëzitur midis qeveritarëve si shqytar e ndihmës për të rrëzuar ç’ka tepruar nga karabinaja e qeverisë. Partisë e cila në një vend fukarenjsh dhe punëtorësh krenohet se është në aleancë me biznesmenët dhe milionerët. Partisë së cilës të paktën 10 persona i figurojnë në dy lista: edhe në atë të kandidatëve të saj për deputetë, edhe në atë të të kërkuarve të Interpolit. Partisë që ka për kryetar një personazh, i cili me grushtin diktatorial sesi po qeveris brenda selisë së tij sot, s’po lë gjë pa bërë që të na paralajmërojë sesi do të jetë qeverisja e tij në ekzekutiv nesër. Çdo element në këtë Parti Socialiste thërret: Ruajuni!
***
Skenari i një fitoreje të Edi Ramës në këto zgjedhje është mjerisht ai më i keqi. Nëse ai realizohet, të gjithë ata që mendojnë se klasa politike ka skaduar dhe se demiurgët e saj duhen zëvendësuar, do të zhgënjehen. Si Rama si Berisha do të mbeten në lojë. Rama, si Kryeministri që ia nënshtroi përdhunshëm popullin e së majtës idesë së tij apolitike për një parti të depolitizuar që s’ka ideale, s’ka principe, s’ka ndjeshmëri, por që ka vetëm batuta autobusi, ortakë biznesi, servilë që e gëlltisin aragostën që u jep Rama ndonëse ai ka pështyrë në të, si dhe disa sharlatanë marketingu tregtar.
Po ky skenar, nga ana tjetër, e përjetëson Berishën si një baba kombëtar. Si një Gorbaçov me një portret dikur të përgjakur, por tashmë të shpëlarë nga detergjenti fisnik i dorëzimit paqësor të pushtetit. Si një Les Valesë me një CV të stolisur prej anëtarësimit në NATO dhe heqjes së vizave. E madje edhe si një Ataturk tunelesh brenda të cilave brezat e urithëve do ta përmendin emrin e tij siç bënin me emrin e Zogut udhëtarët e urës italiane mbi lumin Mat. Modeli i tij do të nderohet dhe ndiqet dhe edhe nëse Berisha ikën fizikisht, ai do të mbetet këtu, trashëgimia e tij do të vijojë të na mundojë.
Të vetmit që dalin të humbur nga kjo histori, janë shqiptarët. Vetëm përmbysja e këtij skenari mund të sjellë shpëtimin. Një ndëshkim i Edi Ramës me votat e të majtëve që ai nuk i përfaqëson do të ishte një karton i kuq që të majtët ia japin asaj partie që ka rrëshqitur nga binarët, si dhe një shans që ajo të korrigjojë shënjestrën, udhëheqjen dhe kursin e saj. Një disfatë e PS-së më 23 qershor do të ishte realisht jo një disfatë e PS-së, por vetëm një disfatë e projektit të Edi Ramës për ta de-socializuar Partinë Socialiste e për të legalizuar ndikimin e kapitalit të madh mbi të. Ajo do t’i jepte fund një epoke që nisi me Fatos Nanon: epokës së çmontimit të ideologjisë së majtë nga partitë e majta dhe zëvendësimit të saj me taktikat e menaxherëve dhe specialistëve të Marrëdhënieve Publike që rreken të të shesin sapunin për djathë apo erashkat për programe politike.
Vetëm një rikthim majtas i Partisë Socialiste, pas dëbimit të brejtësve që sot kanë ngritur koloninë atje, do t’i jepte asaj argumentet dhe aftësinë për të ringjallur frymën për të cilën kanë nevojë njerëzit. Ai do të gjeneronte bashkimin e vërtetë të të gjithë të majtëve, për të mundësuar një përmbysje të shpejtë e përfundimtare të sistemit të instaluar të biznesmenëve që shtrëngojnë për testikujsh cilindo Kryeministër që vjen në pushtet. Të humbë “e majta” për të shpëtuar të majtën, kjo është penincilina. Por a është e sigurt se pas humbjes do të vijë shpëtimi i saj përmes reformimit? Kjo është një e panjohur e madhe. Një mister që do të zgjidhet gjithsesi prej dialektikës së kalitur nga disfata në disfatë, pas gjithë modeleve të saj të dështuara josocialiste deri tani.
Pa fjalë, një qeverisje e tretë e Sali Berishës do të ishte po ajo përmbledhje vuajtjesh, lëngate ekonomike, arrogance me pushtetin, shpërdorimi me buxhetin dhe degjenerimi të krejt konceptit të publikes në përgjithësi. Por fitorja e Berishës qoftë edhe përkohësisht në këto zgjedhje deri në një palë të tjera të parakohshme, është ironikisht zgjidhja e vetme për të shpëtuar të majtën nga klonimi në pushtet i berishizmit me siglën socialiste.
“Historia – kanë vënë re njerëz me mend – përsërit vetveten. Herën e parë si tragjedi, të dytën si farsë”. Por jemi në Shqipëri. Një vend ku deri edhe telashet shtjellohen së prapthi. I kemi kaluar mjerisht tejpërtej farsës së atij që më 2005-n deshi të hyjë në histori teksa kishte dhënë gjithë provat se do të ishte një tiran. Ajo që po na e bën me sy kërcënueshëm përtej reve në horizont, është vetë tragjedia. Disfata e një populli të vogël, pa përvojë, që e tërheqin për hunde.
Top Channel