Rusia publikon emrin e shefit të CIA-s në Moskë

18/05/2013 00:00

Autoritetet ruse kanë publikuar identitetin e shefit të stacionit të
CIA-s në Moskë, një lëvizje që shihet si shkelje e protokollit
diplomatik.

Rusia thotë se ka paralajmëruar zyrtarin në fjalë në vitin 2011 që të ndalë rekrutimet “provokuese” të spiunëve.

Një burim i rezervuar qeveritar tha për agjencinë e lajmeve “Interfax” se, nëse rekrutimi vazhdon FSB do të ndërmarrë aksione analoge ndaj oficerëve të CIA-s.

Autoritetet dhanë emrin e plotë të personit të dyshuar si shef i stacionit të Agjencisë, por nuk është e qartë nëse personi në fjalë qëndron në këtë detyrë.

Njoftimi vjen pas vendimit të Moskës zyrtare për të dëbuar diplomatin amerikan Ryan Fogle, i cili akuzohet se është përpjekur të rekrutojë një oficer të shërbimeve sekrete ruse për të spiunuar në favor të SHBA-ve.

Ai thuhet se ka qenë sekretari i tretë në ambasadën amerikane në Moskë dhe tani është shpallur person “non grata” për atë që Ministria e Jashtme ruse e quan “veprim provokues njësoj si në luftën e ftohtë”.

Fogle u arrestua të martën dhe është urdhëruar të largohet nga Rusia, por ende nuk dihet nëse e ka bërë këtë apo jo.

Autoritetet ruse thanë se zoti Fogle u arrestua teksa përpiqej të rekrutonte një agjent të anti-terrorit të FSB-së në rajonin e Kaukazit.

Gazeta “Kommersant” shkruante se ai po hetonte të dyshuarit për atentatin në Maratonën e Bostonit, që vinin pikërisht nga Kaukazi.

Uashingtoni ka refuzuar të komentojë publikimin e identitetit të shefit të CIA-s në Moskë. Gjithësesi, qeveria amerikane shprehet optimiste për një bashkëpunim të mundshëm me Rusinë.

“Ne besojmë se kemi një marrëdhënie pozitive dhe se mund të vazhdojmë bashkëpunimin në fushat ku biem dakord”, ka deklaruar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Jen Psaki.

Nga ana tjetër, “Kjo nuk i kontribuon ngritjes së besimit reciprok mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”, ka thënë një zëdhënës i presidentit rus Vladimir Putin për agjencinë e lajmeve “Itar-Tass”.

Top Channel