Rusia: Armët në Siri, sipas kontratës

18/05/2013 00:30

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, u bëri thirrje vendeve të përqendrohen te konflikti në Siri, ndërsa presidentit Bashar al-Assad të lejojë vëzhguesit e OKB-së për të verifikuar lajmet mbi përdorimin e armëve kimike.

Ban Ki-moon ndodhej në Soçi të Rusisë, ku bisedoi me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe kryediplomatin rus, Sergei Lavrov. Ai përshëndeti përpjekjet e Rusisë dhe SHBA për të organizuar një takim urgjent për konfliktin në Siri.

“Ne nuk duhet ta humbim këtë moment, që u krijua nga ministri Lavrov dhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry. Ka pritshmëri të larta, që ky takim të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur. Ekipi ynë është gati në çdo kohë, brenda 24 apo 48 orëve pas lajmit ata mund të kryejnë menjëherë hetimin”, tha Ban Ki-moon.

Pas publikimit të lajmit, në gazetën prestigjioze amerikane “New York Times”, se Rusia i ka dërguar Sirisë raketa të sofistikuara kundër-anije, ministri i Jashtëm rus, pa e konfirmuar lajmin, shpjegoi se me dërgesat në Siri nuk shkelen normat ndërkombëtare.

“Nuk e kuptoj, se përse masmedia kërkon të bëjë sensacione të këtyre shitjeve në Siri. Nuk e kemi fshehur, që kemi furnizuar me armë Sirinë për një kontratë të firmosur, nuk kemi shkelur marrëveshjet ndërkombëtare, as ligjet tona që lidhen me kontrollin e eksporteve, ndër më striktët në botë”, tha Lavrov.

Sipas “New York Times”, një anije ruse ka dërguar në Siri modelin më të avancuar të raketave “Jakhonte”, 6.7 metra të gjatë, me një rreze veprimi prej 290 km, që mbartin mbushje me eksplozivë të fuqisë së lartë apo depërtues në mjetet e blinduara.

Një tjetër gazetë amerikane, “Wall Street Journal”, raportoi se Moska ka zhvendosur të paktën 12 luftë-anije për të patrulluar ujërat, në afërsi të bazës detare ruse në qytetin Tartus.

Raportimet vijnë, teksa po shtohet alarmi për përdorimin e armëve kimike në Siri, gjë të cilën presidenti amerikan, Barak Obama, e ka përcaktuar si “vijë e kuqe” të konfliktit, çka konsiderohet si pragu i një ndërhyrjeje ushtarake.

Të premten, Agjencia e Refugjatëve tha se mbi 1.5 milionë sirianë janë regjistruar si refugjatë, ndërsa shifra reale mund të jetë edhe më e lartë, ndërsa konflikti numëron sot të paktën 80 mijë të vrarë.

Top Channel