Itali, protesta kundër qeverisë Letta

18/05/2013 00:00

Masat e mëtejshme shtrënguese të paralajmëruara nga qeveria e re e formuar në Itali, hodhën në rrugët e Romës mijëra protestues.

Manifestimi u organizua nga unioni i tregtarëve dhe sindikatat të tjera të punonjësve. Protestuesit i kërkuan qeverisë së kryeministrit Enrico Letta që të heqë dorë menjëherë nga masat shtrënguese dhe të fokusohet në krijimin e vendeve të reja të punës. Protestuesit thanë se kanë shpresë që kjo qeveri do të nisë të dëgjojë kërkesat e tyre, përndryshe ata po humbasin durimin.

Ekonomia italiane, e treta për nga madhësia në Eurozonë, është zhytur në recesionin më të gjatë në 40 vitet e fundit. Borxhi publik italian ka prekur shifrën e 127 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke u rënditur e dyta, fill pas Greqisë së detyruar të ndërmarrë masa shtrënguese akoma më të dhimbshme.

Papunësia në vend ka prekur shifrën rekord prej 11.5 përqind, ndërsa shkon në 38 përqind në moshat e reja.

Para se të merrte detyrën e kryeministrit, Enrico Letta, një figurë e lartë e qendrës së majtë, deklaroi se politikat e qeverisë së tij nuk do të fokusoheshin në shkurtimet e mëtejshme, por në investime për krijimin e vendeve të punës.

Megjithatë, qeveria e zotit Letta mbahet në këmbë edhe nga votat e qendrës së djathtë. E majta dhe e djathta, pas javësh bisedime dhe të detyruara nga rezultati zgjedhor i 24-25 shkurtit, vendosën të bashkëqeverisin.

Të majtët premtuan fokusimin e tyre tek lufta kundër papunësisë dhe më shumë taksa për të pasurit, ndërkohë që e djathta kërkon heqjen e disa taksave, përfshirë këtu atë për pronat e paluajtëshme.

Top Channel