Hollande firmos ligjin për martesat gay

18/05/2013 00:00

Presidenti francez Francois Hollande ka firmosur ligjin kontrovers për martesat mes personave me të njëjtën gjini, duke e kthyer Francën në vendin e nëntë në Evropë dhe të 14-in në botë që miraton këtë ligj.

Ditën e premte, Këshilli Kushtetues hodhi poshtë një sfidë të hapur nga opozita e krahut të djathtë, duke i hapur rrugën Hollande që të firmoste projektligjin.

“Unë e kam marrë këtë vendim. Tani është koha të respektojmë ligjin e Republikës”, deklaroi Hollande. Martesa e parë gay mund të mbahet 10 ditë nga firmosja e ligjit.

Por ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Alain Vidalies tha për televizionin francez se pret që martesat e para të zhvillohen para datës 1 korrik.

Zoti Hollande dhe Partia e tij Socialiste e kishin kthyer projektligjin në fjalë në flamurin e betejës në zgjedhjet që i sollën në pushtet një vit më parë.

Pas një debati torturues, projektligji për martesat mes personave të së njëjtës gjini u miratua nga Senati francez dhe Asambleja Kombëtare muajin e kaluar.

Ai u kundërshtua menjëherë me argumente kushtetuese nga partia opozitare e krahut të djathtë UMP, e drejtuar nga ish-presidenti Nicolas Sarkozy.

Por Këshilli Kushtetues vendosi të premten se martesat gay nuk bien ndesh me asnjë parim kushtetues dhe me asnjë nga të drejtat themelore dhe sovranitetin kombëtar.

Top Channel