Francë, gjyq për racizëm ndaj Marine le Pen

18/05/2013 16:45

Liderja e ekstremit të djathtë në Francë, Marine le Pen, mund të përballet me një proces penal për racizëm, informoi të shtunën “Agence France Presse”.

Autoritetet franceze vendosën që të hapin procesin ndaj lideres së “Frontit Kombëtar”, partisë së tretë më të votuar në vend, pasi politikania krahasoi lutjet e muslimanëve në Paris me pushtimin nazist të Francës.

Si deputete e Parlamentit Europian, Marine nuk u procedua në kohë për shkak të imunitetit që gëzon.

Megjithatë, imuniteti i saj u shfuqizua në një votim sekret nga Parlamenti Europian më herët gjatë kësaj jave.

Në kandimin e saj në zgjedhjet presienciale të vitit të shkuar, Le Pen u rendit e treta, pas Hollande dhe Sarkozy, me një rekord prej 18% të votave.

Rezultati i saj në zgjedhje provoi se vështirësitë financiare kanë ndikuar në forcimin e një fryme nacionaliste në Francë.

Marine le Pen, e cila “trashëgoi” Frontin Kombëtar nga babai i saj, mbështet daljen e Francës nga Bashkimi Europian, nga Eurozona dhe bllokimin e çdo lloj forme të emigracionit në vend.

Top Channel