E veja e Litvinenko kërkon hetim publik

18/05/2013 00:00

E veja e ish-agjentit të KGB-së, Alexander Litvinenko ka kërkuar ndërprerjen e hetimit gjyqësor mbi vdekjen e tij dhe zëvendësimin me një hetim publik.

Marina Litvinenko deklaroi se kjo është mënyra e vetme për të zbardhur të vërtetën për vdekjen e bashkëshortit të saj, që u helmua me lëndën radioaktive polonium 210 në vitin 2006 në Londër.

Hetuesi i çështjes arriti në përfundimin se nuk ka prova për përfshirjen e mundshme të shtetit rus, duke cituar ligjet për sigurinë kombëtare.

Zonja Litvinenko e akuzoi atë se kishte hequr dorë nga kërkimi i së vërtetës, duke sugjeruar se ky përfundim ishte rezultat i një marrëveshjeje politike mes qeverive të Londrës dhe Moskës.

Qeveria britanike argumentoi se materiale të tilla nuk duhet të publikohen, pasi në këtë mënyrë mund të dëmtohet siguria kombëtare.

Sir Robert Owen, hetues i Gjykatës së Lartë, deklaroi se pjesërisht kishte rënë dakord me kërkesën e sekretarit të Jashtëm William Hague për ruajtjen e sekretit mbi rolin e mundshëm të shtetit rus dhe nëse Britania mund të kishte bërë diçka për të parandaluar vdekjen e ish-spiunit.

Por ai tha se përfshirja e këtyre çështjeve në hetim pa materialin e duhur mund të çojë në një përfundim të gabuar.

Sir Robert tha se një opsion do të ishte që ministrat e qeverisë të ndërpresin hetimin gjyqësor dhe të urdhërojnë një publik, në të cilin gjithësesi disa prej provave të shqyrtohen në mënyrë sekrete.

Top Channel