
Bundestagu gjerman nuk do të votojë që Beogradi të marrë datën për fillimin e negociatave për pranim në BE.
Kështu ka deklaruar Rainer Shtajner, zyrtar i lart i Partisë Liberale në pushtet dhe ekspert për Evropën juglindore. Sipas tij, dështimi i zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit nënkupton ngrirjen e proçeseve të integrimit të Serbisë.
”Kërkesat janë të qarta, nëse Serbia bie dakord me Kosovën për zbatimin e marrëveshjes, Bundestagu do të votojë për t’i dhënë asaj datën e fillimit të negociatavenë samitin e BE-së në qershor”, ka thënë Shtajner për gazetën serbe ”Danas”.
Deklarata në fjalë frenon disi entuziazmin e Serbisë se ndodhet pranë marrjes së datës për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Union.
Dy ditë më parë, pas një takimi me zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara, kryeministri serb Ivica Daçiç deklaroi se Serbia ka mbështetjen e Amerikës për afrimin me BE-në.
“Serbia ka marrë mbështetjen e Amerikës për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, si dhe premtimin që nëse ajo zbatohet, Uashingtoni do të përdorë ndikimin e vetë te vendet anëtare të BE-së për t’i dhënë Serbisë datën e fillimit të bisedimeve për anëtarësim”, deklaroi Daçiç.
Top Channel