Jo një, por tre herë është dëgjuar në Parlamentin grek thirrja naziste ‘Hajl Hitler’, gjatë një seance tepër të tensionuar mesditën e së premtes, ku diskutohej projektligji i ri kundër racizmit.

Divergjencat kanë filluar pasi një prej deputetëve të partisë neonaziste Agimi i Artë ka bërë fyerje të shumta ndaj kreut të së Majtës Radikale, Aleksis Tsipras.

Pas ndërhyrjes së kryetarit të seancës, deputeti neonazist Panajotis Iliopulos jo vetëm që nuk ka tërhequr akuzat e tij, por ka fyer pothuajse gjithë të pranishmit në sallë, duke i cilësuar si “bagëti” dhe për herë të parë në historinë e Parlamentit janë thirrur rojat e gardës për ta nxjerrë atë jashtë.

Giannis Dragasakis, kryetari i seancës: Ju lutem të vijë dikush nga garda në sallë. Ka ndonjë pyetje zoti Iliopulos, apo t’ia u heq të drejtën e fjalës?

Panajotis Iliopulos, deputet i Agimi i Artë: Çfarë janë këto që thoni? Sillni gardën dhe këtu po të doni.

Dragasakis: Nuk do të silleni në Parlament sikur jeni një bandë.

Iliopulos: Ju dhe njerëzit tuaj jeni bandë, ore të degjeneruar. Jeni faqezinj. Nacionalizmin s’mund ta fitoni me asnjë projektligj.

Dragasakis: Ju a kam hequr të drejtën e fjalës.

Iliopulos: Hiqni çdo gjë po deshët. Edhe veten tuaj nga salla.

Dragasakis: Të mos dëgjohet mikrofoni i tij. Largohuni që të mos ju dëboj me mënyra të tjera deri sa nuk respektoni rregullat.

Iliopulos: Do t’ju vërtetoj se sa të degjeneruar jeni, maskarenj.

Dragasakis: Kryesia vendos çensurën kundër zotit Iliopulos dhe dëbimin e tij nga salla.

Në shenjë proteste janë larguar të gjithë deputetët e Agimit të Artë, ndërkohë që janë dëgjuar tre herë thirrjet ‘Halj Hitler’.

Në deklaratën zyrtare, partia neonaziste shprehet se thirrja është dëgjuar nga krahu i Radikalëve të Majtë, ndërsa këta të fundit pohojnë se e kanë dëgjuar nga goja e deputetit ekstremist Kristos Papas dhe më pas ia kanë kthyer me ironi thirrjen në fjalë.

Top Channel