Sot, finalja e Kupës Laçi-Bylis

17/05/2013 00:00

Sot në mbërmje në orën 20:00, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” do të presë finalistët e Kupës së Shqipërisë, Bylisin dhe Laçin.

Për herë të parë në historinë e këtij trofeu, këto dy skuadra kanë mundur të kalojnë deri në fazën finale. Në raundin e mëparshëm Bylisi ka eliminuar kampionët e Shqipërisë, Skëndërbeun, duke barazuar në Korçë 1-1 dhe më pas duke fituar 1-0 në Ballsh.

Nga ana tjetër, skuadra laçjane ka eliminuar nënkampionët e Kukësit. 0-0 barazun në Kukës dhe fituan 2-1 në fushën e tyre në Laç. Një ndeshje e ndezur dhe duket se nuk mungon as tensioni dhe as presioni i hyrjes në histori të këtyre dy skuadrave duke fituar këtë trofe.

Ajo që ka bërë më shumë zhurmë në këtë pragfinale ka qenë çështja e gjyqtarit. Me sa duket kërkesa e drejtuesve të Bylisit nuk është finalizuar për gjyqtar të huaj, kështu që finalja e sotme do të drejtohet nga një gjyqtar shqiptar, por një nga arbitrat e FIFA-s. Ende nuk dihet emri i gjyqtarit, por burimet pranë FSHF-së për Top Channel kanë pohuar se do të jetë një nga gjyqtarët Bardhyl Pashaj apo Enea Jorgji, se cili prej tyre, do të vendoset vetëm përpara fillimit të ndeshjes me dy mundësi, me short, apo me konsesusin e drejtuesve të dy klubeve.

Gjithsesi, kushdo qoftë, pritet që ndeshja e mbrëmjes së sotme pavarësisht emrit jo shumë të madh të dy klubeve finaliste, do të jetë në nivelin e duhur dhe të denjë për një finale të Kupës së Shqipërisë.

Top Channel