SHBA, “lista e zezë” e terroristëve, me probleme

17/05/2013 09:15

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranuan që “lista e zezë” e tyre për terroristët e dyshuar, që ndalohet të udhëtojnë me avionë në linja kombëtare apo ndërkombëtare nga toka amerikane, ka pasur një “problem të llojit administrativ”.

Një agjensi vendase informoi të premten se persona të përfshirë në “listën e zezë” kanë mundur të udhëtojnë me avionë, pasi janë përfshirë në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve në vend.

Programi në fjalë i ka mundësuar atyre që të ndërrojnë tërësisht identitet, por identiteti i ri nuk ishte referuar autoriteteve kufitare, që kujdesen në zbatimin e ndalimit të udhëtimit me avionë të personave të dyshuar apo të dënuar për aktivitete terroriste apo bindje ekstremiste.

Kjo mungesë komunikimit, sipas agjensisë, ka mundësua fluturimin e një numri “sado të vogël, por domethënës” personash të dyshuar.

Programi i mbrojtjes së dëshmitarëve mundëson mbrojtjen nga shteti të të penduarve, dëshmitarëve apo autorëve të një krimi, që vendosin të bashkëpunojnë me autoritetet.

Një numër personash me bindje radikale janë bërë pjesë e këtij programi, pasi kanë pranuar të bashkëpunojnë me drejtësinë në çështje të ndryshme në të shkuarën.

Top Channel