Parathëniet e paqëndrueshmërisë politike

17/05/2013 00:00

Aleksander Cipa – Diskutimi dhe i paktë i debatit për listat e
deputetëve, aq e pat. Mjaftoi vetëm një javë dhe mediumet e reshtën
diskutimin. Në shtypin e shkruar nuk gjen më qasje analizuese për risitë
e përfaqësimit në listat e dy forcave që pretendojnë qeverisjen post-23
qershor 2013.

Ende nuk ka një analizë e cila të sjellë shqyrtueshëm se ç’do të ndodhë me cilësinë e përfaqësimit në Parlamentin e ri të vendit dhe se si do të paraqitet. Debati empirik për listën e së majtës u mbajt disa ditë rreth emrit të Kokëdhimës dhe aktit kalues të Islamit, Kadelit dhe Dogjanit te lista e PD-së dhe befas u mbyll, duke u zëvendësuar prej pasqyrimit të itinerarit klasik të mitingjeve që krerët e dy partive kryesore dhe të partive të tjera, bëjnë nëpër qytete, ku paraqesin kandidatët e qarqeve.

Në rrethanat e një historie politike të konsumuar gjatë dy mandateve të qeverisjes së deritanishme prej PD-së, do të ishte në çdo vend dhe për çdo media normale që procesi i analizimit të fokusohej tek lista emërore e deputetëve të zotit Berisha. Ndoshta një përjashtim mund të konsiderohet rasti i diskutimeve me krerët e partive të vogla, por i pamjaftueshëm për të qenë peshë specifike e çështjes së duhur. Nuk është fjala për nxitjen e debatit të munguar apo të shuar prej autoritetit të kryeministrit dhe artikulimit të të përjashtuarve dhe të pakënaqurve. Kjo çështje është e lidhur drejtpërdrejtë me interesin e publikut, të shoqërisë, por më së shumit me fatin dhe ardhmërinë e së djathtës zyrtare në vend. Këta zëra nuk u dëgjuan dhe heshtja pranuese është në vetvete një përkulje e cila e bën edhe më të mjerueshme demokracinë e mendimit plural brenda partisë kryesore të vendit. Prej ditësh, në media mungon një intervistë me zotin Rusmajli, edhe pse kaq ditë, analistët apo vëzhguesit e së djathtës po i mëshojnë faktit të përjashtimit nga lista të shumicës së anëtarëve demokratë të Komisionit të Ligjeve që mbrojtën kauzat juridike të Kushtetutës së ndryshuar prej marrëveshjes Berisha-Rama, apo që i dhanë më shumë autoritet ligjor, për kontrollimin e institucioneve kushtetuese prej kryeministrit.

Në një këndvështrim, vetë ndryshimet në listën e zotit Berisha, mbartin një semantikë përgatitore për zhvillimet politike brenda PD-së së paszgjedhjeve të 23 qershorit. Por për t’u bërë më të qarta apo më të kuptueshme këto zhvillime, do të ishte më me vend të kishim zëra nga “vatha” e kontrolluar e së djathtës zyrtare, të shprehur dhe të pyetur me këmbëngulje. Mediat ndaj kësaj detyre dhe misioni ndihen dhe dëshmohen më të tërhequra, duke u dëshmuar asimetrike dhe natyrisht vijuese të linjës për të afishuar diversitete, më së shumti, mes opozitës së majtë.

Falë një përvoje dhe tradite të mirinvestuar prej kryeministrit Berisha për të shantazhuar të majtën dhe sidomos për të mbajtur përherë të shpallur polemikat majtiste, mediat lehtësisht vijojnë shërbestarinë pasqyruese. Në këtë mënyrë, në axhendën e debatit dhe polemikës publike nuk kryevendosen çështjet kruciale të aktualitetit, por ato që vlejnë për strategjinë e qeverisjes së patrazuar.

Në këtë mënyrë në dy partitë kryesore nuk është se u mbyll një proces refleksioni apo pajtimi me zgjedhjen e imponuar, por për shkak të një subjekti formal, po mbivendoset një ecuri mbi një proces të patrajtuar kënaqësish dhe pakënaqësish. Në këtë mënyrë, pakënaqësitë e rezervuara kanë për të qenë bërthamëzat e debateve të pritshme më së shumti në ditët e para postzgjedhjeve, kur pala fituese do të nisë negociatat klasike për krijimin e kabinetit qeveritar dhe kur jeta e Parlamentit të ri të ristartojë, duke u mbarsur shumë shpejt me qëndrime të cilat nuk kanë për ta pasur më tabu “kapërcimin e ngjyrës së përkatësisë”, pavarësisht se prej nga cila forcë dhe cili elektorat është marrë mandati. Gjithsesi kjo e papritur e pritshme në këtë skenë të afërt parlamentarizmi, tashmë nuk është e panjohur. Skenarët e mundshëm janë përmendur më shpesh se sa debatet për meritokracinë e të listuarve për deputetë si te PD, ashtu edhe te PS.

Një mungesë e tillë parashikimi duket se karakterizon PS-në dhe, në mënyrë të drejtpërdrejtë, zotin Rama. Parathënia e tyre sa ka filluar, madje e pohuar jo me shumë inteligjencë politike edhe nga një deputet i majtë i LSI-së, zoti Koka, i cili paraprakisht pohon se kunati i tij, ish-ministri socialist, zoti Agron Duka, tashmë kandidat zyrtar i republikanëve në Durrës, ka për të qenë sërish tek e majta pas 23 qershorit. Trajtuar hollë-hollë, një pohim i tillë është parathënie e paqëndrueshmërisë politike që do të kemi në Parlamentin e ri në raportet mes partive dhe, pse jo, edhe dy palëve pozitë-opozitë.

Rikthimi i diskutimit dhe trajtimit në formatet e debatit e çështjes së përfaqësimit dhe listat e dy forcave kryesore politike në këtë tur zgjedhor, do të ndihmonte orientimin e publikut për të njohur qysh në këtë zanafillë zhvillimet e ardhme. Fokusimi tek analiza e CV-ve dhe historive që përfaqësojnë kandidatët e padiskutueshmëm për deputetë do të na japë mundësi të njihemi paraprakisht edhe me historitë e ardhme që do të vlejnë si akuza dhe histori të pashmangshme në polemikën dhe kërkesat e pashmangshme për heqje imunitetesh dhe procese të deputetëve me drejtësinë në vend. Këto lexime paraprake ndoshta do të bënin më të përgatitur edhe drejtuesit e lartë të dy forcave politike që pretendojnë qeverisjen, por do të ndihmonin gjithashtu në pajisjen e tyre me një mundësi dijenie më të madhe për ortakëritë dhe strategjitë e aleancave parlamentare që priten të çelen në siparin e Parlamentit të pritshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA