Obama shkel protokollin, detyron rojet t’i mbajnë çadrën

17/05/2013 00:00

Megjithëse është Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ka disa urdhëra që as presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk mund t’i japë…por mund t’i shkelë ama.

Njërin ndër ta, (jo serioz) presidenti amerikan, Barack Obama e shkeli gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Kopështin e Trëndafilave me kryeministrin turk, Recep Taip Erdogan.

Nisja e konferencës u shoqërua me një shi të lehtë që nisi të bjerë. Në krah të presidentit amerikan dhe kryeministrit turk qendronin dy rojet e nderit të veshur me uniformën përkatëse. Presidenti Obama pa si zgjidhje praktike të urdhërojë ata për të mbajtur nga një çadër. Pa e vënë në diskutim urdhërin e Obamas, dy rojet e nderit nxituan të ngrinin çadrat për të mbrojtur nga shiu kryeministrin turk dhe presidentin Obama.

Konferenca vijoi me pyetjet e gazetarëve dhe në qendër ishte situata në Siri, ndërsa Obama u përball edhe me pyetje të nxehta për situatën politike të brendshme në SHBA, ku së fundmi Departamenti i Shtetit është kritikuar për mosdhënien e mbrojtjes së nevojshme ambasadorit të ndjerë Chris Stivens që u vra gjatë sulmit në Bengazi të Libisë.

Por një detaj që mediat nuk e zbardhën menjëherë, me shumë mundësi për shkak të mosnjohjes së protokollit zyrtar të presidentit amerikan, ishte shkelja e rregullores së rojes së nderit që Obama bëri.

Rregulli MCO P1020.34F, kapitulli 3 i Marinës Amerikane thotë se rojet e nderit nuk mund të mbajnë cadër përsa kohë janë në shërbim dhe me uniformë veshur. Nga ky rregull bëjnë përjashtim vetëm rojet e nderit femra të cilave u lejohet mbajtja e një cadre praktike, me kusht që këtë cadër ta mbajnë në dorën e majtë në mënyrë që dora nderuese, e djathta, të qendrojë gjithmonë e lirë.

Top Channel