Në Gjykatën Themelore të Prishtinës u zhvillua të premten seanca e radhës ndaj Fatmir Limajt dhe të akuzuarve të tjerë për çështjen e Ministrisë së Transportit.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës në fjalën e tij para trupit gjykes ka thënë se prokurori i EULEX-it për katër vjet nuk ka gjetur asnjë provë e cila tregon se ai dhe vëllezërit e tij janë të inkriminuar për korrupsion.

Limaj ka thënë se gjatë këtij proçesi do të ftojë dëshmitar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-shefin e Zyrës Civile në Kosovë, Pieter Faith. Edhe këtë herë Fatmir Limaj ka kërkuar nga trupi gjykues vetëm drejtësi dhe asgjë më shumë.

“Kërkoj nga ju drejtësi dhe asgjë tjetër. Asgjë tjetër. Kështu mbrohet puna e mijëra njerëzve në EULEX dhe kështu ndihmohet ndërtimi i shtetit ligjor”, ka deklaruar Limaj.

Nga ana tjetër, avokati Karim Khan e ka quajtur tërë proçesin ndaj Limajt një metodë politike për ta kapur atë “mat”. Ai ka thënë se, kjo është një garë që Limaj me çdo kusht të nxirret fajtor dhe ka kërkuar që aktakuza të hidhet poshtë për arsye të mënyrës së hetimeve që janë bërë dhe ligjshmërisë së zgjatjes së hetimeve.

 Avokati Khan ka theksuar se, misioni i prokurorit për ta fajësuar Limajn për korrupsion ka qenë dhe mbetet i pamundur. “E gjithë akuza është e mbështetur në prova false, në sms anonime dhe të pa hetuar, të paverifikuar”, ka thënë Khan.

Deputeti kosovar Fatmir Limaj, njëherësh ish-ministër i Transportit, po gjykohet paralelelisht edhe në rastin e krimeve të luftës.

Top Channel