Anëtarët e mbetur të bordit të AKP-së kërkojnë nga Kuvendi i Kosovës që t’i emërojë sa më shpejt tre drejtorët e rinj, në mënyrë që bordi të rifitojë fuqinë e tij të plotë për të lëvizur drejt proçesit të privatizimit.

Në një komunikatë për media thuhet se, në përbërjen e tanishme, pra me pesë anëtarë, bordi është funksional dhe do të vazhdojë të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë që ka në bazë të kornizës ligjore, nën udhëheqjen e nënkryetarit të bordit.

Po kështu në komunikatë thuhet se: “Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit i kushton vëmendje dhe ndjen keqardhje për largimin e disa drejtorëve  dhe kryetarit të saj pak ditë më parë”.

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit është futur në një krizë të funksionimit pas dorëheqjes së tre anëtarëve. Fillimisht nga ky institucion u largua përfaqësuesja amerikane, pas saj dy anëtarë të tjerë përfshirë kryetarin Blerim Rexha.

Një ditë më parë Rexha, përmes një deklarate për media, hodhi poshtë ato që i quajti “keqinformime se ai është kundër interesave amerikane dhe evropiane”. Ai e bëri këtë deklaratë pas dorëheqjes së përfaqësueses amerikane.

“Me shqetësim të madh jam duke përcjellë dhe përfshirë në ngjarjet aktuale në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP). Po ashtu me keqardhje të madhe kam marr lajmin për largimin e dy anëtareve nga Bordi i AKP. Largimi i tyre është padyshim si pasojë e keqinformimit të tyre nga individë të caktuar, brenda dhe jashtë AKP-së”, thuhej në deklaratë.

Ai sqaroi gjithashtu se, ai, familja e tij, sikurse të gjithë qytetarët e Kosovës, “përulemi me shumë respekt para kontributit të SHBA-ve dhe BE-së dhënë për popullin dhe shtetin e Kosovës. Në këtë situatë të krijuar jap dorëheqje të pakthyeshme nga pozita e Kryesuesit të Bordit të AKP-së”.

Top Channel