
Ndërsa rrugët e Milanit dhe Allegri pritet të ndahen në fund të sezonit, Clarence Seedorf duket gjithmonë e më shumë se mund të jetë i zgjedhuri për stolin kuqezi.
Një ditë pasi Berlusconi, në një batutë gjysmëtallëse tha se Allegri do të shkojë drejt Romës, mundësia e rikthehimit të holandezit në “klubin mëmë” përforcohet nga një fakt i ri.
Një burim pranë Seedorf, bëri me dije se 37-vjeçari ka nisur ndërkohë praktikat për marrjen e licensës së trajnerit, nga Federata Holandeze e Futbollit.
Futbollisti i Botagofos në Brazil është duke shlyer provimet e nevojshme online, ndërsa me marrjen e licensës, së njohur edhe prej UEFA-s, nuk do të kishte probleme për të drejtuar në cilindo klub europian.
Seedorf, i cili gëzon ende një raport të shkëlqyer me presidentin Berlusconi, ka pranuar më parë publikisht ambicien e tij për t’u bërë trajner.
Sipas mediave italiane, në plan afatgjatë Milani ka piketuar si trajner Cesare Prandellin, por tekniku i kombëtares do të lirohej vetëm pas Botërorit.
Me Allegrin që mund të jetë drejt largimit, kuqezinjve do t’i duhej një emër për të udhëhequr ekipin për një sezon të vetëm dhe Seedorf duket zgjedhja më e përshtatshme.
Më pas, zëvendësimi i tij me Prandellin do të shoqërohej me dhënien e një roli të përhershëm në klub.
Top Channel