BE, sondazhi LGBT: Homofobia shqetësuese

17/05/2013 04:50

Pothuajse 1/4-ta e personave gay, që u anketuan nga një sondazh i Bashkimit Europian, thanë se kanë qenë shënjestër e sulmeve apo kërcënimeve të dhunshme, në 5 vitet e fundit.

Të anketuarit më të varfër dhe më të rinj, kishin më shumë të ngjarë të përballeshin me diskriminimin, për shkak të prirjeve të tyre seksuale, tregoi anketimi.

Agjencia për të Drejtat Themelore (FRA) e BE-së përfshiu në sondazh 93 mijë njerëz nga BE dhe Kroacia, për atë që konsiderohet si studimi më i plotë në llojin e vet.

E premtja shënon ditën ndërkombëtare kundër homofobisë dhe transfobisë.

Anketa e LGBT-ve europianë tregon disa prirje apo trende shqetësuese, bën të ditur korrespondentja e BBC në Hagë, ku rreth 300 politikanë dhe ekspertë janë mbledhur për të diskutuar formësimin e politikave të reja të Bashkimit Europian për të ç’rrënjosur homofobinë.

Sondazhi online mori në pyetje lesbike, gay, biseksualë dhe transeksualë, nëse ishin ndeshur me diskriminime, dhunë, abuzime verbale apo deklaratë urrejtjeje në lidhje me orientimin e tyre seksual apo identitetin gjinor.

Drejtori i FRA-së, Morten Kjaerum, tha se “sfida të mëdha” mbeten përpara, kur bëhet fjalë për të luftuar diskriminimin ndaj personave LGBT anembanë Europës.

***

Nga sondazhi:

26% e të anketuarve thanë se janë sulmuar apo kërcënuar me dhunë në 5 vitet e fundit.

Pjesa më e madhe e sulmeve të raportuara të urrejtjes ndodhin në vende publike dhe kryhen nga më shumë se 1 person, teksa sulmuesit janë kryesisht meshkuj.

Më shumë se gjysma e atyre, që thanë se janë sulmuar, nuk e kanë raportuar incidentin tek autoritetet, duke besuar se asnjë masë nuk do të merrej.

Gjysma e të anketuarve thanë se ndiheshin të diskriminuar personalisht gjatë vitit të fundit, para sondazhit, edhe pse 90% e tyre nuk e kishin raportuar diskriminimin.

Rreth 20% e gay-ve apo biseksualëve dhe 29% e transeksualëve thanë se janë përballur me diskriminimin në punë, apo gjatë kërkimit për punë.

2/3-at e të anketuarve thanë se ishin përpjekur të fshihnin apo maskonin seksualitetin e tyre në shkollë.

***

FRA shpreson që këto rezultate të ndihmojnë politikë-bërësit për të drejtuar më mirë punën e tyre, mbi promovimin e të drejtave të njerëzve LGBT.

Top Channel