Argjentinë, vdes ish-udhëheqësi i grushtit të shtetit

17/05/2013 00:00

Ka vdekur në moshën 87-vjeçare, Jorge Rafael Videla, ish-udhëheqësi i juntës ushtarake argjentinase që udhëhoqi vendin në periudhën e errët nga viti 1976 deri në vitin 1983.

Autoritetet argjentinase njoftuan se ai ndërroi jetë në burgun ku po vuante dënimin përjetë. Videla, që udhëhoqi juntën ushtarake deri në vitin 1981, u dënua në vitin 2010 pas gjetjes fajtor për torturimin dhe vrasjen e 31 disidentëve të diktaturës ushtarake.

Më shumë se 30 mijë argjentinas janë torturuar, internuar dhe vdekur gjatë viteve të juntës ushtarake, në atë që vendi e njeh si “lufta e pisët”.

Në vitin 1985, dy vjet pas rrëzimit të pushtetit të ushtarakëve, Videla u arrestua dhe u dënua me burg përjetë për akuzën e vrasjes dhe torturës. Por në vitin 1990 u la i lirë nën amnistinë e presidentit të asaj kohe, Carlos Menem.

Në prill të vitit 2010, Gjykata e Lartë argjentinase mori në shqyrtim dosjen e një gjykate federale dhe akuzat e reja të ngritura kundër tij kishin të bënin me pjesëmarrjen personalisht në torturimin dhe vrasjen e 31 disidentëve.

Tetë muaj nga nisja e procesit, Videla u gjet fajtor për torturimin dhe vdekjen e 31 të burgosurve politikë në burgun e Kordobas dhe u dënua me burg përjetë.

Pak pas marrjes së pushtetit nga junta ushtarake në vitin 1976, shumë prej aktivistëve të së majtës, u nxorrën nga qelitë e burgut të Kordobas dhe u pushkatuan. Në ato vite, udhëheqësit ushtarakë u mbrojtën duke deklaruar se ata u vranë gjatë përpjekjeve për t’u arratisur nga burgu.

Vec akuzës së torturës dhe vrasjes, ndaj Videlas rëndonte ndër vite edhe akuza e grabitjes së foshnjeve të porsalindura nga ciftet e disidentëve që mbaheshin në kampet e internimit. Besohet se 400 fëmijë të aktivistëve të majtë janë zhdukur gjatë kësaj periudhe.

Ndërkohë, një tjetër ish-ushtarak i lartë pjesëmarrës në grushtin e shtetit, Reynaldo Bignone u dënua me 15 vjet burg për rolin e tij në këto krime. Në total, numri i ushtarakëve të dënuar që udhëhoqën Argjentinën nga 1976-1983 shkon rreth 30.

Top Channel