Funksionimi i Zyrës Administrative në pjesën veriore të Kosovës duket se po lë të kënaqur vetëm serbët e veriut të vendit. Qytetarët serbë vijnë këtu për tu pajisur me dokumenta të ndryshme identifikimi, ndërkohë që shqiptarët shprehin ankesa të shumta për funksionimin e kësaj zyre.

Ankesat e qytetarëve janë kryesisht të karakterit social. Megjithëse nuk e njohin Kosovën si shtet serbët pajisen me dokumente kosovare, për të përfituar të drejtën e pensionit ose ndihmës sociale.

Drejtoresha e zyrës, Adrijana Hoxhiç, i kundërpergjigjet kritikave duke sqaruar se zyra administrative nuk është oganizatë humanitare, por është zyrë civile e cila i shërben të gjithë qytetarëve të pjesës verore.

“Ne jemi të vetëdijshem për gjendjen e rëndë sociale të disa familjeve në veri. Për këtë arsye, pas kërkesave të shumta, me anë të disa projekteve më shumë se 90 familje i kemi ndihmuar me ushqime dhe veshmbathje”.

Numri i serbëve që janë pajisur me dokumente kosovare nga kjo zyrë  ka arritur në 3 mijë e 974, ndërsa 1 mijë e 359 janë shqiptarë, 429 boshnjakë etj.

Milutin Mitrovic, qytetar i Mitrovicës, shprehet: “E mora certifikatën e lindjes dhe nënshtetësinë e Kosovës. Unë jam nga Banja dhe erdha t’i marr këto dokumente pasi më takon pensioni prej 60 eurosh. Tani jetoj në pjesën veriore dhe nuk kemi ndonjë problem. Më herët kishte aq shumë probleme sa nuk mund as ta përshkruaj, por falë Zotit tani është shumë më mirë”.

“Numri më i ulët i aplikuesve shqiptarë nuk do të thotë që shqiptarët nuk e duan këtë shërbim. Kjo e tregon edhe një fakt që shumica e banorëve në pjesën veriore janë serbë. Kemi pasur ankesa edhe për numrin e punonjësve serbë, por unë them se është normale që shërbimi ndaj ketyre qytetarëve të bëhet nga punonjësit e komunitetit të tyre, ashtu siç ndodh në Prishtinë, Prizren etj.”, shton Adriana Hoxhiç.

Ajo shpjegon se numri i të punësuarve është 54, ndërkohë që rreth 70% e tyre janë të komunitetit serb. Hoxhiç thotë se kjo zgjedhje është bërë në bazë të numrit të popullisë shumicë në veri.

Teksa zgjedhjet lokale po afrohen ende nuk dihet nëse do të votojnë qytetarët e veriut të Mitrovicës. Zyra administrative ende nuk ka marrë asnjë rekomandim nga qeveria lidhur me këtë çështje.

Top Channel