Më 21 maj kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi do të takohet me atë serb Daçiç, me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë europiane, Catherine Ashton.

Qëllimi i këtij takimi është arritja e një marrëveshjeje për planin se si të zbatohet pakti i 19 prillit e arritur në Bruksel.

Nga mbledhja e qeverisë, kryeministri Thaçi ka shprehur besimin se më 21 maj do të arrihet një marrëveshje për këtë dhe se nuk ka kthim prapa përveç zbatimit të marrëveshjes.

“Besoj se do të arrihet marrëveshja për implementimin, në kuptimin e periudhave dhe aktorëve implementues që duhet të jenë institucionet e Kosovës, EULEX-i, KFOR-i, OSBE-ja dhe natyrisht në bazë të marrëveshjes që del nga pakti për rrethanat lehtësuese për zbatimin e saj nga Serbia. Prandaj, ne do të jemi aktivë që kjo marrëveshje të fillojë së implementuari sa më shpejt dhe kemi edhe mbështetjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare”, ka deklaruar Thaçi.

Edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës janë shprehur se marrëveshja duhet të zbatohet. “Realisht se sa serioz ka qenë dialogu do të shihet pikërisht me rastin e zbatimit të marrëveshjes, edhe në tërësinë dhe në dinamikën e saj. Nuk duhet të lejohet të shkojë kohë e gjatë për zbatim pasi ajo mund të deformohet”, ka thënë deputeti Sadri Ferati.

Por, ndryshe deklarohen në partinë tjetër opozitare që kundërshtojnë dialogun me Serbinë, në Vetëvendosje. Deputeti Rexhep Selimi ka thënë gjatë së enjtes se marrvëeshja nuk duhet të zbatohet.

“Ne mendojmë që nuk do të duhej as të arrihej një marrëveshje e tillë dhe rrjedhimisht nuk do të duhej të zbatohej. Por, duhet ta kemi parasysh që kjo marrëveshje do të zbatohet nga Serbia kur të plotësohen dy kushte: të jetë në interes të Serbisë dhe serbëve, dhe që të mos jetë në interes të shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës”, ka theksuar Selimi.

Deri më tani delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë kanë zhvilluar dy takime në Bruksel në lidhje me planin për zbatimin e marrëveshjes.

Ditë më parë shefi i dilomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, pati bërë publike tendencën e palës serbe që përmes arritjes së një pajtimi për planin realisht të arrijë një marrëveshje të dytë dhe të ketë devijim nga plani bazë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA