Asambleja e përgjithshme e OKB-së ka miratuar një rezolutë, me anë të së cilës bën thirrje për tranzicion politik në Siri, si dhe dënon përdorimin e armëve të rënda nga qeveria.
Rezoluta, e cila nuk është detyruese, ka kaluar me lehtësi, edhe pse një tjetër e ngjashme në fund të vitit të kaluar mori më shumë mbështetje.
Rusia kundërshtoi ashpër përmbajtjen, që sipas saj ishte e pabalancuar dhe dështonte të adresonte në mënyrë adekuate mizoritë, që supozohen të jenë kryer nga grupet rebele.
Rezoluta u hartua nga shtetet arabe, të cilët kanë përkrahur rebelët. Siria tha se iniciativa ishte në kundërshtim me përpjekjet e fundit diplomatike nga SHBA dhe Rusia, për të gjetur një zgjidhje politike ndaj konfliktit tashmë 2-vjeçar, që sipas OKB-së ka lënë mbi 80 mijë viktima.
Asambleja e përgjithshme përsëriti thirrjet për tranzicion politik, gjë që përfaqëson, sipas saj, “shansin më të mirë për të zgjidhur situatën… paqësisht”.
Rezoluta shprehu gjithashtu irritimin ndaj “rritjes së shpejtë të numrit të viktimave” dhe dënoi ashpër përdorimin e armëve të rënda nga qeveria siriane, si dhe shkeljet e rënda sistematike dhe të gjithanshme të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore”.
Përmbajtja e rezolutës bënte thirrje për mbështetje urgjente financiare ndaj vendeve fqinje, të cilat janë duke strehuar 1,5 milionë refugjatë, duke theksuar gjithashtu edhe “gjendjen e mjerueshme” të 4,25 milionë njerëzve, që vazhdojnë të jetojnë në Siri.
107 shtete votuan pro rezolutës, ndryshe nga 133 të tilla që kishin votuar në gusht të vitit të kaluar ndaj një rezolute të ngjashme, teksa 12 vota ishin kundër dhe 59 abstenime.
Top Channel