Kretë, theret me thikë 12-vjeçari rus

16/05/2013 18:55

Një 12-vjeçar nga Rusia që po kalonte pushimet me nënën e tij në Kretë, është qëlluar 20 herë me thikë nga një animator holandez, pasi ky i fundit ka dashur ta vjedhë. Ngjarja ka ndodhur në një hotel turistik, 20 km larg Iraklios.

Në orët e mbrëmjes, 20-vjeçari nga Holanda i ka vjedhur vogëlushit nga Rusia laptopin dhe celularin e tij dhe kur ai e ka parë e ka tërhequr në zonën e parkingut dhe e ka qëlluar me thikë disa herë. Më pas, duke kujtuar se fëmija kishte vdekur, ai ka fshehur trupin e tij dhe është kthyer në hotel.

“Në trupin e tij ka 20 plagë me thikë. 20! Dy janë në dorën e tij të majtë, plagë që konsiderohen se janë marrë gjatë mbrojtjes”, ka treguar mjeku ligjor Antonis Papadomanolakis për agjencinë “Reuters”.

Gjakftohtësia e tij ka arritur deri atje sa ka marrë pjesë me policinë në kërkimet për djaloshin, pasi e ëma kishte denoncuar mungesën e tij. Por kur janë zbuluar sendet e vjedhura, hetuesit e kanë pasur të lehtë të zbardhin ngjarjen dhe të arrestojnë autorin.

Për fat të mirë 12-vjeçari është gjetur i gjallë dhe pasi i është dhënë ndihma mjekësore në spitalin e Kretës është çuar me avion special në Athinë.

Pavarësisht se i ka shpetuar rrezikut të vdekjes, mjekët thonë se ai mund të mbetet i paralizuar në gjymtyrët e poshtme për shkak të plagëve në shtyllën kurrizore.

Animatori nga Holanda, nëna e të cilit është me origjinë greke, ndiqet tashmë penalisht për tentativë vrasjeje me dashje, armëmbajtje pa leje dhe vjedhje.

Ngjarja, që ka tronditur gjithë vendin, ndodhet në qendër të vëmendjes së mediave në Rusi, shtet nga i cili vijnë për pushime në Greqi miliona vizitorë.

“Çdokush duhet të marrë përgjegjësinë për të gjetur arsyen e kësaj ngjarjeje dhe pas kësaj duhet që të kryhen më shumë kontrolle për punëtorët e huaj që vijnë për të punuar në vendin tonë, ashtu siç bëhet edhe për grekët”, ka deklaruar Nikos Kokolakis nga Unioni i nënpunësve të hoteleve.

Akti i 20-vjeçarit ka trazuar organet greke në një moment kur Athina zyrtare pret sivjet më shumë se 17 milionë turistë të huaj, të ardhurat e të cilëve konsiderohen tepër jetike për ekonominë e rrënuar të vendit.

Top Channel