Partitë politike në Kosovë e komentojnë ndryshe mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vjeshtë, së bashku me zgjedhjet lokale.

Në shtypin e ditës janë hedhur hipoteza se një votëbesim i qeverisë Thaçi në Parlament do të çonte në shpërbërjen e kabinetit dhe rrjedhimisht dekretimin e zgjedhjeve parlamentare.

Por në Partinë Demokratike të Kosovës e përjashtojnë një mundësi të tillë, duke thënë se zgjedhjet parlamentare janë të parashikuara për vitin e ardhshëm, për të cilat PDK është e gatshme dhe e konsoliduar.

“Ne e dimë se vitin e ardhshëm janë zgjedhjet parlamentare, por PDK gjithnjë vendos dhe i përkrah ato vendime të cilat janë në interes të shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve. Çdo vendim apo qëndrim tjetër për PDK është i papranueshëm”, ka deklaruar kreu i grupit Adem Grabovci.

Deputeti i partisë opozitare, LDK, Sadri Ferati thotë se të gjitha partitë politike janë duke u përgatitur edhe për mundësinë që të ketë zgjedhje të përgjithshme.

“Edhe pse tani për tani flitet vetëm për zgjedhjet lokale, që akoma nuk janë përcaktuar, nga mënyra se si po rrjedhin disa çështje në Kosovë asnjëherë nuk është e sigurt të thuhet se do të ketë apo jo. Por, bazuar në disa rrjedha shihet se të gjitha partitë politike janë duke u përgatitur dhe për zgjedhje lokale, dhe për mundësinë që të ketë zgjedhje nacionale”, ka thënë Ferati.

Ndërkohë, në lëvizjen Vetëvendosje, e cila prej kohësh ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë që drejtohet nga kryeministri Thaçi, kanë deklaruar se e mbështesin idenë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Jo tani, por shumë më herët është dashur të ndodhë kjo, që së paku t’i hapet rruga zgjedhjeve të lira e demokratike dhe respektivisht edhe qeverisjes demokratike në këtë vend”, ka thënë deputeti Rexhep Selimi.

Ndërsa në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës deklarohen se zgjedhjet lokale duhet të mbahen ndaras nga ato parlamentare.

“Konsiderojmë se më mirë janë zgjedhjet e ndara për arsye se edhe proçesi do të shkonte më normal, në mënyrë që edhe qytetarët të kenë mundësi të bëjnë zgjedhje të mira, por edhe të dalin institucione valide. Normalisht do të duhej në mënyrë kalendarike të shkojmë në zgjedhje, sepse ashtu janë të rregullta dhe njëkohësisht, nëse ka marrëveshje e cila është pajtim i të gjitha partive politike, ato mund të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm”, ka thënë deputeti Ahmet Isufi.

Sidoqoftë, zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur në dhjetorin e vitit 2010 dhe institucionet që dalin nga zgjedhjet nacionale, si Kuvendi dhe qeveria, sipas Kushtetutës së Kosovës kanë mandat 4-vjeçar.

Top Channel