Irak, dhuna sektare vret me dhjetra persona

16/05/2013 04:40

Të paktën 23 persona janë vrarë, në një seri shpërthimesh me bomba, në distriktet shiite të kryeqytetit irakian, Bagdad.

Policia tha se 11 bomba shpërthyen në hapësirën e 1 ore, teksa shpërthime të tjera kanë lënë 10 persona të vdekur në qytetin verior të Kirkuk.

Iraku ka parë kohët e fundit një rritje të shpejtë të dhunës sektariane, për shkak të rritjes së tensioneve mes qeverisë së udhëhequr nga shiitët dhe minoritetit sunit.

Mbi 700 irakianë, sunitë dhe shiitë, llogariten të jenë vrarë gjatë muajit prill.

Policia tha se 23 persona u vranë dhe dhjetra të tjerë u plagosën mbrëmjen e së mërkurës, pas autobombave në Bagdad. Distriktet e prekura përfshijnë qytetet Kadhimiya dhe Sadr në veri, si dhe ato Mashtal, Bagdad Jadida dhe al-Husseiniya në lindje.

Një polic në qytetin Sadr tha për agjencinë e lajmeve AFP: “Pashë një blic të shndritshëm, i cili u shoqërua nga një shpërthim i fuqishëm, që tronditi ndërtesën. Xhamat u thyen kudo, njerëzit vrapuan menjëherë drejt vendngjarjes dhe nisën të evakuonin të plagosurit dhe të vdekurit”.

Një patrullë policie u godit gjithashtu nga një person me bombë mbi një motoçikletë, në qytetin Tarmiya, disa km në veri të Bagdadit, duke vrarë 2 policë, bëjnë të ditur zyrtarë.

Në qytetin e pasur me naftë, Kirkuk, 2 sulme me autobomba pranë ndërtesave qeveritare lanë të vrarë të paktën 10 persona.

Tensionet po rriten gjithnjë e më tepër mes sunitëve dhe shiitëve në Irak, për shkak se minoriteti sunit akuzon se është margjinalizuar nga qeveria e udhëhequr nga kryeministri Nouri Maliki.

Top Channel