Egjipt, al-Qaeda komplot ndaj SHBA-Francë

16/05/2013 03:50

Zyra e prokurorit të Egjiptit bëri të ditur se kanë prova, që tregojnë se 3 të dyshuar, të lidhur me al-Qaeda-n, patën si objektiv Ambasadat amerikane dhe franceze në Kajro, ashtu si dhe një fabrikë armësh egjiptiane në gadishullin Sinai, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve.

Agjencia shtetërore e lajmeve “Lindja e Mesme”, e njohur si MENA, raportoi të mërkurën se prokurorët e shtetit kanë siguruar prova, që fajësojnë terroristët e arrestuar gjatë fundjavës, se kishin planifikuar të shpërthenin autobomba në 3 vendet e mësipërme.

Një burim, i informuar nga një zyrtar i sigurisë egjiptiane, tha të mërkurën se i kishin thënë, që Ambasada franceze ishte objektiv i sulmit, por nuk kishte marrë informacione në lidhje me misionet e tjera diplomatike.

Anëtarë të qelizës së dyshuar terroriste kishin 10 kg nitrat amoniumi, që përdoret shpesh për krijimin e bombave artizanale, sipas burimit në fjalë.

David Linfield, një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Kajro, tha për CNN se është në dijeni të raporteve në mediat egjiptiane, se Ambasada amerikane ka qenë objektiv i sulmeve, por nuk dëshiron të komentojë mbi këtë çështje. Edhe zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme egjiptiane refuzoi të komentonte për CNN, në lidhje me shënjestrat e dyshuara.

Një hetues urdhëroi një prej të arrestuarve, Mohamed AboulEla Aqida, të qëndronte pas hekurave për të paktën 15 ditë të tjera, në vend që t’i lihej në arrest shtëpiak, raportoi MENA. Fati i dy personave të tjerë të arrestuar nuk u bë i ditur.

Zyra e prokurorit njoftoi se kishte prova të reja, që e lidhnin Aqida-n me liderin e al-Qaeda-s në Irak, Daoud Al Asdi, ashtu si dhe me anëtarë të grupit terrorist në gadishullin Sinai, sipas MENA-s.

Ai dhe të dyshuarit e tjerë kishin avancuar përtej fazës së planifikimit dhe ishin gati për të sulmuar, kur policia egjiptiane i arrestoi.

Top Channel