Blerim Rexha, i cili ka dhënë dorëheqjen nga posti i shefit të Agjencisë
Kosovare të Privatizimit, përmes një deklarate për media ka hedhur
poshtë, siç ka thënë ai “keqinformimin se ai është kundër interesave
amerikane dhe evropiane”.

Ai ka dhënë këtë deklaratë pas dorëheqjes së përfaqësueses amerikane nga Bordi i AKP-së.

“Me shqetësim të madh jam duke përcjellë dhe përfshirë në ngjarjet aktuale në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP). Po ashtu me keqardhje të madhe kam marr lajmin për largimin e dy anëtareve nga Bordi i AKP. Largimi i tyre është padyshim si pasojë e keqinformimit të tyre nga individë të caktuar, brenda dhe jashtë AKP-së”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga Rexha, bën të ditur Europa e Lirë.

Ai ka sqaruar në komunikatë se ai, familja e tij, sikurse të gjithë qytetarët e Kosovës, “përulemi me shumë respekt para kontributit të SHBA-ve dhe BE-së dhënë për popullin dhe shtetin e Kosovës. Në këtë situatë të krijuar jep dorëheqje të pakthyeshme nga pozita e Kryesuesit të Bordit të AKP-së”.

Rexha në deklaratën e tij iu ka kërkuar falje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, qytetarëve të Kosovës, që në këtë kohë të shkurtër “nuk ka mundur të zbatojë rekomandimet për rritje të transparencës dhe ndryshimit të modelit të privatizimit, të dala nga rezoluta e Kuvendit e tetorit e vitit 2012”.

Ai ka theksuar se është e padiskutueshne se “AKP duhet ta ndërrojë qasjen ndaj pronës, aseteve që privatizon dhe menaxhon”.

Top Channel