Siri, shpërthim në zemër të Damaskut

15/05/2013 00:00

Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar mëngjesin e së mërkurës në zemër të Damaskut, në sheshin Omajadi.

Lajmin e bëjnë të ditur aktivistët anti-regjim, sipas të cilëve bëhet fjalë për një autobombë të shpërthyer përpara teatrit të operas së kryeqytetit.

Ndërsa një korrespondent perëndimor deklaron se bilanci i parë bën fjalë për të paktën dy të plagosur rëndë.

Për momentin nuk dihet se kush mund të fshihet pas atentatit. Shpërthimi i fundit në qendër të Damaskut është regjistruar më 8 maj.

Që prej nisjes së kryengritjes kundër presidentit Bashar al Assad, dy vjet më parë, të paktën 70 mijë persona besohet se janë vrarë, ndërsa 1,2 milionë njerëz po jetojnë jashtë Sirisë si refugjatë.

Dy ditë më parë presidenti amerikan, Barack Obama dhe kryeministri britanik, David Cameron ranë dakord që të shtojnë presionin ndaj Assad, me qëllimin e vetëm: largimin e tij nga skena politike.

Pas një takimi të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, dy udhëheqësit garantuan mbështetjen për popullin e Sirisë.

“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të shtuar presionin ndaj regjimit të Assad-it, për të garantuar ndihmë humanitare, për të forcuar opozitën e moderuar dhe për të përgatitur Sirinë demokratike, pa Bashar al Assad-in”, tha Obama.

“Nuk do të ketë progres politik, deri kur opozita të jetë në gjendje t’i bëjë ballë sulmeve dhe të ushtrojë presion kundër Assad, kësisoj ai duhet të kuptojë që nuk ka fitore ushtarake. Ne do të shtojmë përpjekjet tona për të mbeshtetur dhe konturuar opozitën e moderuar. Britania po nxit më shumë fleksibilitet të embargos së BE-së për armët dhe do të dyfishojë mbështetjen për opozitën siriane vitin e ardhshëm”, tha Cameron.

Top Channel