Flakët dalin jashtë kontrollit në perëndim të Atikës në Greqi, digjen rreth 150 banesa, autoritetet mesazhe paralajmëruese qytetarëve
Aksionet në bursën japoneze janë rritur duke kaluar kuotën 15.000, për
herë të parë që prej janarit të 2008-ës, me jenin që vazhdon të
dobësohet, duke nxitur fitimet për eksportuesit.
Ditën e mërkurë, indeksi i Nikkei u rrit me 2.3 për qind në kuotën 15.096, me prodhuesin e automjeteve “Toyota” dhe gjigandin e elektronikës “Sony” që udhëheqin listën e fitimeve.
Nikkei ka shkuar mbi 46 për qind që prej fillimit të vitit 2013. Banka qendrore e Japonisë ka ndërmarrë një plan agresiv për të dobësuar jenin.
Një valutë e dobët do të thotë fitime më të mëdha për kompanitë kur fondet do të riatdhesohen në vend. Gjithashtu, kjo i bën produktet e tyre më tërheqëse përtej detit.
Jeni japonez është për të katërtin vit e gjysmë më i ulët kundrejt dollarit amerikan, duke u këmbyer me rreth 102 pikë në Azi. Valuta ka rënë me më shumë se 20 për qind që kur kryeministri japonez Shinzo Abe mori drejtimin e qeverisë dhjetorin e kaluar.
Zoti Abe ka mbështetur politikën monetare ultra të lehtë të bankës qendrore, që bën thirrje për injektimin e më shumë parave në sistemin ekonomik japonez. Lëvizja synon të dobësojë valutën, por edhe të rrisë çmimet për konsum.
Ekonomia japoneze lufton prej pothuajse dy dekadash fenomenin e rënies së çmimeve, i njohur ndryshe si deflacion, që dekurajon shpenzimet për kompanitë dhe konsumatorët, të cilët i ruajnë paratë për një blerje më të mirë.
Top Channel