Edicioni i 12-të i panairit ndërkombëtar të ndërtimtarisë, energjetikës, teknikës, mobilierisë, “EXPOKOS 2013”, u hap këtë të mërkurë në Prishtinë.

Në hapje të panairit erdhi një lajmi i mirë për biznesin kosovar. Në Selanik të Greqisë, në shator të këtij viti, bizneset kosovare do të prezantohen për herë të parë në një panair të një shteti anëtar të Bashkimit Europian.

“Në lidhje me këtë projekt, ne jemi duke punuar me institucionet dhe komunitetin e biznesit, në mënyrë që pjesëmarrja e Kosovës të jetë sa më e kompletuar dhe të rezultojë me suksese konkrete, në të mirë të rritjes së prezencës së produkteve kosovare në një treg të afërt gjeografikisht dhe pjesë e BE-së, siç është Greqia”, tha Bekim Xhafa, drejtor i Congress & Event Organization.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin përfaqësues të ambasadave kroate, greke, çeke e gjermane në Kosovë. Vendet pjesëmarrëse në edicionin e 12-të “EXPOKOS” janë Greqia, Kroacia, Çekia, Gjermania, Belgjika, Bullgaria, Shqipëria, Maqedonia etj.

Panairi do të qëndrojë i hapur deri në datën 18 maj.

Top Channel