Kongresmeni amerikan Eliot Engel ka përjashtuar në mënyrë kategorike
mundësinë e ndarjes së Kosovës, duke nënvizuar se integriteti i këtij
shteti është një parim i rëndësishëm.

Në intervistën e dhënë për “REL”, Engel ka komentuar edhe marrëveshjen e 19 prillit, duke thënë se pavarësisht vonesave për zbatimin e saj, proçesi i normalizimit të marrëdhënieve nuk është në rrezik.

“Është një hap i domosdoshëm dhe besoj se do të funksionojë. Bashkimi Evropian është aty dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë në krah të popullit të Kosovës në çdo hap”, ka thënë Engel.

I pyetur lidhur me hipotezat se marrëveshja në fjalë po krijon një minishtet apo një Republika Srpska në veri të Kosovës, kongresmeni është përgjigjur duke thënë se një gjë e tillë nuk do të realizohet.

Ai është shprehur se marrëveshja është jetike dhe ka nënvizuar se në raste të tilla asnjë palë nuk merr gjithçka që dëshiron.

“Marrëveshja është kompromis dhe kompromisi nënkupton se njëra palë merr diçka nga ajo që dëshiron dhe pala tjetër diçka nga ajo që dëshiron”, ka nënvizuar Engel.

Ai ka theksuar se, nga kjo marrëveshje Kosova ka përfituar sepse për herë të parë, Serbia de fakto e ka njohur Kosovën dhe qeveria e Prishtinës do të shtrijë kontrollin në tërë territorin.

“Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, as shkëputje të ndonjë pjese të saj dhe ky është një parim shumë i rëndësishëm. Në shkëmbim të kësaj, serbët në veriun e Mitrovicës do të kenë një shkallë të autonomisë. Mendoj se ky është një pazar i mirë, sepse autonomia nuk është gjëja më e keqe në botë”, ka shtuar Engel.

Top Channel