Zgjedhjet në Bullgari, vendi i pasigurt

14/05/2013 01:20

Zgjedhjet parlamentare në Bullgari e vunë vendin përballë pasigurisë politike, pas një gare shumë të ngushtë.

Partia e qendrës së djathtë GERB, e udhëhequr nga ish-kryeministri Boiko Borisov, mori 31% të votave, ndërsa partia socialiste BSP, e Sergei Stanishev, siguroi rreth 27%.

Vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se procesi shkoi mirë, por nënvizuan se skandalet dhe akuzat për manipulim kanë gërryer besimin në institucionet shtetërore.

Analistët thonë se është e vështirë për secilën nga forcat, të formojë një koalicion qeverisës të besueshëm. Nëse partia GERB nuk do të jetë në gjendje, kjo mundësi do t’u jepet socialistëve.

Bllokimi i procesit mund të çojë në zgjedhje të tjera. Pjesëmarrja e votuesve ishte 50%. Bullgaria po përballet me krizën më të rëndë ekonomike dhe sociale, ku shifra e papunësisë ka arritur në 12%.

Shpërthim në Bengazi
9 persona humbën jetën dhe 17 të tjerë u plagosën

Të paktën nëntë persona humbën jetën, pas shpërthimit të një autobombe, në Bengazi të Libisë.

Një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes i tha BBC-së se dy fëmijë janë mes viktimave, që humbën jetën në Bengazi. Të paktën 17 të tjerë u plagosën.

Shpërthimi ndodhi në parkimin e spitalit Jalaa. AFP citon zv/ministrin e Brendshëm, Abdullah Masud, i cili tha se “bomba shkatërroi një restorant dhe dëmtoi disa ndërtesa”.

Grupe njerëzish u mblodhën në vendin e shpërthimit, duke akuzuar militantët dhe duke u kërkuar autoriteteve t’i dëbojnë ata jashtë qytetit. Shumë prej protestuesve bërtisnin “Ngrihu Bengaz!”.

Deri tani asnjë grup nuk ka marrë përsipër sulmet në Bengazi, që konsiderohet si djepi i revolucionit, që rrëzoi nga pushteti Muamar Gedafin, në vitin 2011.

FAO: Ushqehuni me insekte
Organizata e sugjeron për të luftuar urinë në botë

Organizata e Kombeve të Bashkuara sugjeron ngrënien e insekteve, për të luftuar urinë në botë.

Përmes një raporti, FAO nënvizon se mbi 2 miliardë njerëz, në të gjithë botën, ushqehen me insekte, megjithatë – sipas agjencisë së OKB-së – neveria ndaj tyre mbetet pengesa kryesore në vendet perëndimore.

Autorët e raportit shpjegojnë se insektet janë të pasur në proteina, yndyrëra dhe minerale. Janë një ushqim i rëndësishëm për fëmijët e paushqyer.

Grenzat, brumbujt, krimbat dhe insekte të tjerë gjendet kudo dhe aftësia e tyre për t’u riprodhuar shpejt mund të nxisë ushqyerjen në vendet e varfëra dhe, mbi gjithçka, garanton siguri.

Top Channel