Turqi, gjuajtësi rrëzohet pranë kufirit sirian

14/05/2013 15:30

Një gjuajtës ushtarak turk humbi kuotë dhe u rrëzua pranë kufirit sirian, raportuan të martën mediat ndërkombëtare.

Piloti i “F-16” u gjet i vdekur pranë pjesëve të shpërbëra të avionit.

Aktualisht, është e paqartë se përse piloti nuk mundi të katapultohej me parashutë apo edhe vetë arsyeja e këtij aksidenti.

Gjuajtësi i prodhimit amerikan po fluturonte pranë maleve të Amanos, në krahinën e Osmanies, kufi me Sirinë, kur humbi kontaktin radio në orët e vona të së hënës.

Piloti dërgoi një mesazh në të cilin thonte se po braktiste avionin, përpara se mjeti me të cilin fluturonte të zhdukej nga radari, por për arsye të panjohura nuk mundi të katapultohej.

Ky është aksidenti i parë ajror që përfshin një avion të flotës ajrore ushtarake turke, që prej rrëzimit të një gjuajtësi nga predhat tokë-ajër të ushtrisë siriane, në vitin 2012.

Atëherë, Siria theksoi se kishte reaguar në përputhje me ligjet ndërkombëtare, pasi avioni kishte shkelur pa autorizim hapësirën ajrore, por Ankaraja sfidoi këtë pretendim, duke argumentuar se avioni ishte qëlluar jashtë territorit sirian.

Ngjarja u shndërrua në motivin e një incidenti diplomatik midis dy shteteve, ndërsa Turqia kërcënoi se nuk do të toleronte më asnjë agresion sirian në të ardhmen.

Top Channel