Terminali i ri i Doganës së Tiranës me një hapësirë prej 75 mijë metrash katrorë, është sipas ekspertëve më i madhi në Ballkan.
“Me këto hapësira, vecanërisht me vend-kontrollin fizik i cili ofron 12 poste menjëherë të 12 trajlerave, magazinat ngjitur me sipërfaqen mbi 10 mijë metër katrorë, janë lehtësira në qarkullimin e mjeteve, jep mundësi dhe rrit eficencën në administrimin dhe kontroll”, deklaron Bujar Vukaj, Drejtor i Doganës së Tiranës.
Një investim 25 milionë dollarë nga kompania “Continental” pjesë e grupit Kastrati, terminali shkurton me tre herë kohën e përpunimit të mallrave dhe automjeteve.
“Do të ndihmojë në mënyrë të vecantë përshpejtimin dhe kryerjen e të gjitha operacionet doganore duke eleminuar të gjitha vonesat nga mungesa e gjithë kësaj logjistike dhe parkingut të gjërë”, thotë agjenti doganor, Xhavit Domi.
“Është një frymëmarrje për biznesin sepse ka hapësirat e duhura. Atje ku ishte nuk ishte në vendin e përshtatshëm”, thotë Donika Mici, sipërmarrëse.
Deri dy ditë më parë dogana me fluksin më të lartë tregtar, në vend ka funksionuar në ambiente ku mungesa e hapësirave shkaktonte vonesa për biznesin dhe ngarkonte atë me kosto shtesë. Për Luan Bregasin ky është një model për t’u marrë shembull i partneritetit publik privat.
“Nëse këtë investim do ta bënte shteti, duhej 1 vit që të mblidheshin fondet, 1 vit të bëhej tenderi, 1 vit që partitë të akuzonin njëra-tjetrën dhe pastaj të bëhej ose të mos bëhej dogana. Ky model duhet të shërbeje si nxitje për të gjithë politikën shqiptare që t’i besojë më shumë sipërmarrjes private e cila gjeneron vende pune, gjeneron investime, gjeneron të ardhmen e këtij vendi”, thotë Luan Bregasi, Biznes Albania.
Investim pa kosto për buxhetin, por sipas Drejtorit të Doganës edhe pa kosto për tregtarët.
“Kontraktimi që është bërë me subjektin Continental Group janë përcaktuar edhe cmimet dhe tavani për cmimin e parkingut dhe cdo tarifë tjetër që janë po ato dhe nuk mund të ndryshohen në mënyrë të njëanëshme”, sqaron drejtori Vukaj.
Dogana e re është e vendosur në një pikë strategjike ku përvecse lehtëson trafikun në Tiranë, afërsia me portin më të madh në vend i krijon mundësi tranziti drejt Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë.
Top Channel