KE, hetim për monopolin e karburanteve

14/05/2013 21:40

Një operacion madhor policor u realizua ditën e martë në disa vende europiane, si pjesë e hetimeve mbi fiksimin e çmimit të karburanteve në Europë.

Komisioni Europian po heton këtë monopol të dyshuar prej kohësh dhe konfiskimi i dokumentave në disa zyra kishte si qëllim që të zbulonte më shumë mbi një marrëveshje të mundshme të disa kompanive me pozicion zotërues në treg.

Për momentin, emrat e firmave të dyshuara nuk janë publikuar, pasi siç u saktësua në një deklaratë, nuk ka ende asnjë fajtor apo dyshim të provuar.

Megjithatë, “British Petroleum”, “Royal Dutch Shell”, “Statoil”-i norvegjez dhe “Pratts”, konfirmuan se po bashkëpunojnë me autoritetet në këtë hetim.

Hetimi përfshin çmimin e naftës, produkteve të rafinuara dhe biokarburanteve.

Nuk është e qartë nëse kompanitë dyshohen për ushtrimin e presionit, ndaj palëve të dyta për vendosjen e një çmimi të caktuar apo kanë arritur një akord të përbashkët.

Ky është hapi i parë i një hetimi, që mund të ketë rrjedhoja të rëndësishme, në një prej tregjeve me ndikimin më të madh në ekonominë europiane.

Top Channel