Serbia është munduar që të arrijë një marrëveshje të dytë dhe të ketë devijim nga plani bazë, gjatë takimeve për zbatimin e marrëveshjes me palën kosovare gjatë muajit prill në Bruksel.

Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj i cili nuk ka dhënë më shumë detaje, por ka shtuar se delegacionet duhet të kenë mandat teknik se si ta zbërthejnë marrëveshjen, por jo më shumë.

“Ka pas tendenca nga delegacioni i Beogradit që përmes arritjes së një pajtimi rreth një plani implementues realisht të arrijnë një marrëveshje të dytë. Të ketë devijim nga plani bazë. Qëndrimi ynë ka qenë prej fillimit që dallimet të cilat po synon Beogradi që t’i vendos në fokus, t’u jap një kuptim të ri, janë dallime të natyres politike dhe jo të natyrës teknike”, tha Hoxhaj.

Këtë deklaratë kryediplomati kosovar e bëri pas takimit me zyrtarë të Këshillit Egjiptian për Punë të Jashtme, të cilët e kanë vlerësuar marrëveshjen Kosovë-Serbi si një përparim të madh. Më tej Ministri i Jashtëm, Hoxhaj ka thënë se pas marrëveshjes me Serbinë, e cila ka njohur sovranitetin e Kosovës, Egjipti më nuk ka asnjë arsye për të mos njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa udhëheqësi i delegacionit nga Kajro ka premtuar se shumë shpejt do të vijë njohja nga ky shtet.

“Jo vetëm ne por edhe qeveria egjiptiane vlerëson lartë popullin kosovar, i cili luftoi për vite me radhë për të realizuar ëndrrën e tyre të vjetër. Ju premtojmë se shumë shpejt do të bëhet njohja nga Egjipti dhe do të vendosen edhe marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve. Ne do të japim kontributin tonë maksimal që njohjet të vijnë sa më shpejtë jo vetëm nga Egjipti mirëpo edhe nga shtetet e tjera qoftë nga konferenca islamike qoftë edhe nga liga e shteteve arabe”, deklaroi Mohamed Ibrahim Shaker i Këshillit Egjiptian për Punë të Jashtme.

Për më tepër, duke folur për shtetet islame që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Mahmoud Shaker ka thënë se nuk ka ndonjë kundërshtim të pavarësisë së Kosovës.

Top Channel